DokuFest me projekt të ri
Drejtuesit e festivalit Dokufest ftojnë krijuesit për aplikim për projektin “Fabrika për filma dokumentarë për të drejtat e njeriut- tregimet për të drejtat e njeriut nga margjinat e Kosovës”.
Projekti iu jep mundësi filmbërësve nga Kosova dhe rajoni që të ndahen në grupe, dhe të punojnë në realizimin e gjashtë dokumentarëve të shkurtër, që për temë kanë të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor, me theks në ngjarjet nga Kosova.
Projekti do të zgjas rreth 2 vjet.
Sipas drejtuesve të Dokufest, pjesë e projektit është edhe themelimi i DOKUQendrës, e cila do të përmbajë të gjitha pajisjet e nevojshme për prodhimin e filmave, si ndriçim, kamera dhe pajisje montazhi.
Krahas kësaj, prodhimi i gjashtë filmave të shkurtër dokumentarë, do të përcillet edhe me organizimin e punëtorive, përmes të cilave filmbërësit do të përcillen dhe ndihmohen, që nga procesi i zhvillimit të idesë e deri te produksioni i filmave, por edhe në fazën finale të shfaqjes dhe promovimit të filmave në Kosovë dhe jashtë saj.
Krahas kësaj, parashihen edhe debate me publikun, me mediat dhe me studentë nëpër Kosovë, në të cilat diskutohen të drejtat e njeriut që janë portretizuar në filma.
Ky projekt i festivalit Dokufest është financuar nga BE dhe i menaxhuar nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë.