Thaçi: Konsensusi për presidenten, shembull për rajonin
Konsensusi politik i arritur në Kosovë për zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe për daljen nga kriza politike, duhet të merret shembull nga vendet e rajonit, ka thënë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në mbledhjen e kabinetit qeveritar, me ç’rast e ka quajtur zgjedhjen e djeshme të presidentes Atifete Jahjaga si një lajm të mirë në historinë e re të Kosovës.
Thaçi nuk ka harruar të falënderojë kontribuuesit e kësaj marrëveshje, kreun e LDK-së, Isa Mustafa dhe Behgjet Pacollin, por po ashtu edhe ambasadorin amerikan Kristofer Dell dhe përfaqësuesit e BE-së në Kosovë.
“Vetë votimi me 2/3 është mesazhi më i mirë që kemi përçuar si politikë kosovare se standardi i dialogut, i komunikimit të ndërsjellë i vënies së interesit të shtetit mbi çdo interes partiak, personal apo grupor është mbi të gjitha. Ky është respektim i vullnetit të qytetarëve të vendit për personalitetin e presidentit, që të ruhet uniteti qytetarë e politik, por është lajm i mirë për historinë e re të Kosovës, historinë politike dhe qytetare, është një lajm që i ka munguar Kosovës, por edhe vendeve në rajon. Kjo tregon se Kosova tri vjet pas pavarësisë po e zhvillon demokracinë, po kultivon raportin pozitë-opozitë, po merr përgjegjësi të përbashkëta dhe korrekte. Ky është një model i mirë edhe për rajonin”, ka thënë Thaçi.
Ai ka theksuar se nga dita e djeshme ka filluar një histori e re politike për Kosovën dhe një agjendë e reformave, të cilat do të shkojnë deri në fund dhe Qeveria do ta ketë rolin e saj dhe bashkë me opozitën do të ketë një qëndrim të përbashkët për interesat e vendit.
Thaçi është zotuar se do ta zbatojë marrëveshjen e nënshkruar me partnerin e koalicionit, Behgjet Pacollin dhe me kreun e opozitës, Isa Mustafa.
Kreu i ekzekutivit të vendit të premten ka zhvilluar takimin e parë me presidenten e re të Kosovës, Atifete Jahjaga, për të cilin takim ka njoftuar kabinetin qeveritar, duke thënë se me presidenten e re ka biseduar për agjendën shtetërore, e cila do të vazhdojë të jetë e njëjtë, një agjendë shtetformuese dhe e mbështetur plotësisht nga komuniteti ndërkombëtar.
Përgjegjësi, zotim dhe këmbëngulësi për rritjen e pagave
Më tej kryeministri Thaçi është ndalur tek çështjet praktike, përkatësisht tek fillimi i marrjes së pagave me rritje për punëtorët e Kosovës, duke thënë se në këtë mënyrë është realizuar premtimi dhe vendimi i Qeverisë së Kosovës.
“Kjo është bërë në bazë të përpjekjeve tona maksimale, sepse kam vlerësuar edhe më herët se deri më tani punëtorët deri më tani janë paguar sikur një ndihmë sociale, prandaj ka qenë përgjegjësi, zotim dhe këmbëngulësi e jona për rritje pagave, ndoshta përtej mundësive”, ka thënë Thaçi, duke theksuar se për këtë ka edhe mbështetje nga faktori ndërkombëtar.
Ai ka paraqitur edhe të dhëna konkrete për rritjen e pagave, sipas të cilave, nga viti 2007 ka pasur rritje për mësimdhënësit e shkollave të mesme deri në 86 për qind, për Policinë e Kosovës ka pasur rritje për 85 për qind, për shërbyesit civilë deri në 56 për qind, për punëtorët shëndetësorë ka pasur rritje deri në 87 për qind, për punëtorët e administratës tatimore dhe doganave 37 për qind, për punëtorët e gjyqësisë deri në 84 për qind rritje të pagave, etj.
Sipas tij kjo rritje është bërë me qëllim të ngritjes së nivelit të mirëqenies së punëtorëve të Kosovës me punëtorët e rajonit, ndërkaq në të ardhmen do të vazhdohet me ngritje të reja për ta barazuar punëtorin e Kosovës me punëtorët e vendeve të Bashkimit Evropian.
Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin për mbrojtje nga zjarri, Projektligjin për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kadastrin, Projektligjin për organizimin sindikal dhe Projetkligjin për këshillat ekonomiko-social. (KosovaPress)