DokuFest thërret filmbërësit e rinj
Nxënësit do të kenë mundësinë të mësojnë për teknikat e identifikimit të storieve, përdorimit të pajisjeve filmike, filmimit dhe montazhit. Ata do të pajisen me mjete të nevojshme për filmim dhe do të prodhojnë filmat e tyre, të cilët trajtojnë çështje të të drejtave të njeriut. Kampi i parë do të mbahet nga data 4 deri më 7 janar 2013 në Prizren.
“Kampi është pjesë e programit edukativ të DokuFest, si pjesë e projektit ‘Shkolla dhe Filmi Dokumentar’. Që nga viti 2008, DokuFest ka organizuar shfaqje të filmave dokumentarë në bazë javore. Më vonë, DokuFest zhvilloi klube të filmit në gjithsej 5 shkolla në Prizren, Suharekë dhe Prishtinë. Shkollave të lartpërmendura u janë dhuruar pajisjet e duhura për shfaqjen e filmave si dhe filmat dokumentar me temën e të drejtave të njeriut. Shfaqjet e filmave të organizuara nga klubet e filmit ndodhin 2 herë në muaj ndërsa pas shfaqjes hapen debate mbi çështjet e trajtuara në filma”, thuhet në një komunikatë të dërguar nga DokuFest.
Vitin e kaluar, DokuFest në bashkëpunim me personelin e sistemit të arsimit kosovar publikoi një manual me informata mbi filmat dokumentarë dhe përdorimin e tyre si mjet edukimi në shkollat e mesme të Kosovës.
Përpilimi i materialeve për shkolla si dhe kooperimi me sistemin e arsimit, ka bërë që DokuFest të jetë një faktor i rëndësishëm në komunitet duke kontribuar në edukimin dhe duke e rritur vetëdijen e nxënësve kosovarë në kuptimin e çështjes së drejtave të njeriut.
Projekti “Shkolla dhe filmi Dokumentar” është i implementuar në bashkëpunim me partnerin e DokuFest, One World Festival të Pragës dhe i mbështetur nga Ndihma Kombëtare për Demokraci NED.