E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokufest synon rekordin e 10 000 pjesëmarrësve

Festivali Ndërkombëtar i Dokumentarit të Shkurtër (Dokufest) që po zhvillohet në Prizren synon që numri i pjesëmarrësve deri në fund të këtij festivali të arrijë në 10 000 persona. Deklarata e drejtorit artistik të festivalit, Veton Nurkollari, u bë dje në konferencën për shtyp ku prezantoi dhe miqtë specialë të ftuar në edicionin e 10-të të Dokufest-it: Pietro Marcello, fitues i Garës Internacionale të edicionit të 9-të të DokuFest si dhe anëtar i jurisë së sivjetshme në të njëjtën kategori; Hanna Bruhin, përfaqësuese e Sëiss Films; dhe Sami Jahnukken, regjisor i famshëm finlandez dhe bashkëthemelues i Mouka Film në Helsinki, Finlandë. Sipas zëdhënëses së festivalit, Nita Deda, gjatë konferencës për shtyp u fol për filmat zviceranë në Dokufest, që përbëjnë një të dhjetën e të gjithë programit të festivalit. Ndërkohë në ekranet e kinemave verore që janë vendosur në zonat kryesore të Prizrenit është shfaqur dhe filmi “Being Azem”, film ky i cili ilustron ngjashmëritë në mes të kulturës zvicerane dhe asaj shqiptare. “Zvicra na çmon dhe nuk heziton të bëjë filma për shqiptarët që jetojnë atje.”- tha drejtori artistik Nurkollari. Ndërsa përfaqësuesja e Sëiss Films, Hanna Bruhin, u shpreh ndër të tjetra se ishte me rëndësi për të që të vizitonte Kosovën, për t’i qartësuar raportet në mes të dy vendeve. “Kosova është një vend i qetë dhe me kulturë të pasur” - tha ajo. Një nga risitë e edicionit të 10-të është edhe pjesëmarrja e kinemasë italiane. “Këtë vit përsëri do të shfaqet filmi fitues i Pietro Marcello-s me titullin “La Boça Del Lupo”. Ky film është i vetmi film italian në 50 vitet e fundit, i cili ka fituar në festivalin e Torinos”- tha drejtori artistik i Festivalit, Veton Nurkollari. Deri tani, që nga data 23 korrik kur startoi Dokufest-i, janë shfaqur për publikun vendas por dhe të huaj rreth 34 filma. Gjithsej në netët e këtij festivali do të shfaqen në ekranet e kinemave verore 168 filma nga 55 vende të ndryshme të botës. Por përveç filmave zviceranë një vend të veçantë zënë edhe filmat amerikanë. Për këtë qëllim në festival ishin të ftuar përfaqësues të American Documentary Showcase, Sandra Ruch, publiciste dhe konsultante për zhvillimin e dokumentarëve, si dhe Marshall Curry, prodhues i filmave dokumentarë dhe regjisor i filmit “If a Tree Falls: A Story of the Earth Liberation Front” i cili u shfaq dje në Kino në Kala.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›