E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulqin, çelet edicioni i 11-të i panairit të librit shqip

ULQIN- Të paktën 50 botues nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Bosnja marrin pjesë në panairin e Librit “Ulqini 2011” që u çel mbrëmjen e 25 korrikut, sipas një tradite bujare të vijëzuar mirë në Ulqin një qytet bregdetar i Republikës së Malit të Zi, i banuar nga 40 mijë banorë, shumica shqiptarë, po ku jetojnë edhe malazezë, boshnjakë dhe romë.

Ministrja e Shkencës dhe Teknologjisë së Malit të Zi, Sonja Vllehoviç, zv/ministrja e Ministrisw Turizmit Kulturws Rinisw Sporteve në Shqipëri Suzana Turku dhe ministri i Kulturës së Kosovës, Memli Krasniqi deklaruan të hapur këtë edicion, në prani të disa qindra të pranishmëve, pjesa më e madhe e të cilëve pushues që mbipopullojnë qytetin e vogël bregdetar buzë Adriatikut.

Tashmë një panair tradicional, që nisi të organizohej qëkurse Mali i Zi ishte pjesë e ish-Jugosllavisë, ky aktivitet i librit shqip, cilësohet si një faktor që ndihmon në integrimin e kulturës shqiptare në tërësi.

Nën kujdesin e veçantë të kryetarit të komunës së Ulqinit Gëzim Hajdinaga, aktiviteti që do të zhvillohet përgjatë gjithë javës në vazhdim në qytetin buzë Adriatikut të lashtë, çel njëherazi dhe veprimtaritë me librin që më pas vijojnë me panairet e tjera të librit që zhvillohen në disa qytete të jugut të Shqipërisë.

Përgjatë shëtitores së plazhit të vogël, ku tradicionalisht ngrihen stendat e panairit veror, janë ekspozuar rreth 5000 tituj libra, tituj te rinj të të gjitha gjinive. Nuk mungojnë në këtë edicion librat e autorëve më të mirë shqiptarë Ismail Kadare, Fatos Kongoli, Ben Blushi, Diana Çuli, Zija Çela, Flutura Açka, Viktor Canosinaj etj., dhe te huaj si Paulo Coelho, L.Gauillant, Musso, Ugo Ricarelli, Alberto Bevilacqua, Raffaele Nigro, Orhan Pamuk, N. Sparks etj.

Letërsi artistike, autorë shqiptarë e të huaj, histori, botime enciklopedike, guida turistike e harta të çdo lloji, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për zanate e profesione të ndryshme, albume e katalogë gjithfarësh etj, janë paraqitur para lexuesve ulqinakë e pushuesve të huaj.

Ky është viti i 11 që organizohet ky aktivitet i librit, i cili që kur u iniciua nga Shoqëria e Librit Shqip si iniciatore dhe promotore e ketij Panairi, me mbështetjen e komunës së Ulqinit dhe qeverisë së Malit të Zi, duket se fshiu njëherazi edhe barrierat kulturore që kishin ekzistuar më parë mes dy vendeve fqinjë.
(e.m/atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›