E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokumentari: Khmer Rouge, regjimi më i egër i shekullit XX

Instituti Shqiptar i Medias, Front Line Club dhe Akademia e Filmit & Multimedias ‘Marubi’ do të sjellin për herë të parë në gjuhën shqipe projeksionin e filmit dokumentar investigativ “Armiqtë e Popullit”. Në shfaqjen e filmit më 21 mars do të jetë i pranishëm producenti ekzekutiv i filmit, zoti Matthew Torne. Filmi "Enemies of the People" (Armiqtë e Popullit) i regjisorëve Rob Lemkin dhe Thet Sambath, është prodhim i vitit 2009, 93 min, në anglisht me subtitrat në shqip. Dokumentari trajton periudhën e sundimit të Khmer Rouge, të cilët drejtuan atë që cilësohet si një nga regjimet më brutalë të shekullit XX. Khmer Rouge është emri i një organizate politike komuniste, që ishte në pushtet në Kamboxhia nga 17 prill i vitit 1975 deri më 9 janar të vitit 1979. Këtë emër ky regjim e mori nga sovrani Norodom Sihaonuk. Emri i tyre zyrtar ishte Partia Komuniste e Kamboxhias e më pas Partia Demokratike Kampuchea. Mendohet se gjatë regjimit të Khmer Rouge kanë vdekur rreth 2.2 milionë njerëz nga uria, puna e sforcuar dhe ekzekutimet. Konsiderohet si regjimi më i dhunshëm i shekullit XX, që ia kalon edhe atij të Stalinit dhe Adolf Hitlerit. Megjithatë, Fushat Vrastare të Kamboxhias mbeten të pashpjeguara… deri tani. Në filmin “Armiqtë e popullit,” burrat dhe gratë që kryen masakrat, nga ushtarët e këmbësorisë e deri te udhëheqësi ideologjik i partisë, Nuon Chea (ose Vëllai Numër Dy), thyejnë një heshtje 30-vjeçare për të dhënë dëshmi të padëgjuara apo të papara deri sot. Thet Sambath, një nga gazetarët investigativë më të mirë në Kamboxhia, ka mundur të depërtojë në Khmer Rouge, pas një dekade pune. Sambath ka një mision personal: ai ka humbur edhe familjen e vet në Fushat Vrastare. Filmi është udhëtimi i tij për të parë jo sesi vdiqën, por përse vdiqën. Ai dëgjon dhe kupton për herë të parë historinë e vërtetë të tragjedisë së vendit të tij.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›