Dokumenti/ PD përcakton skemën se si do të zgjidhen kandidatët për kryebashkiakë në zgjedhjet vendore të 2023

Sali Berisha ka mbledhur sot Këshillin Kombëtar të PD-së, ku pritet të miratohet një dokument, i cili përmban rregullat mbi të cilat do të përzgjidhen kandidatët e PD për zgjedhjet lokale të 2023-it.
Në dokument thuhet se seleksionimi dhe përzgjedhja e kandidatëve zyrtarë të PDSH për zgjedhjet e pushtetit vendor do të kryhet nëpërmjet votimit të drejtëpërdrejtë të anëtarësisë dhe simpatizantëve të PDSH, sipas parimit “një anëtar, një votë”, në përputhje me modalitetet të cilat garantojnë garën e ndershme dhe konkurrimin e lirë, shanset e barabarta midis kandidatëve, si dhe kontrollin e tyre mbi mënyrën e realizimit të këtij procesi.
“Primaret organizohen në mënyrë periodike, sa herë që shpallen zyrtarisht zgjedhje për pushtetin vendor, përfshirë rastet e zgjedhjeve të parakohshme. Primaret organizohen me votim të lirë, të fshehtë, të barabartë dhe të drejtëpërdrejtë, sipas kushteve, kritereve dhe përcaktimeve të parashikuara në këtë rregullore. Kryesia e PDSH shpall me vendim datën e primareve si dhe emëron po atë ditë anëtarët e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (në vijim“KOKOE”), i cili, sipas parashikimit statutor, organizon dhe mbikqyr procesin zgjedhor të primareve, si dhe përcakton afatet dhe modalitetet e regjistrimit të simpatizantëve.”- thuhet në dokument.
Procesit të seleksionimit dhe përzgjedhjes paraprake nuk do i nënshtrohen deputetët e Partisë Demokratike dhe kryetarët e bashkive në detyrë. Ata kualifikohen drejtpërsëdrejti për të garuar në primare. Anëtarët dhe simpatizantët e partisë ushtrojnë lirisht të drejtën e tyre të votës në primare, pa asnjë dallim, në përputhje me modalitetet e parashikuara në këtë rregullore.
Lista e votuesve në procesin e primareve u dërgohet degëve zyrtarisht nga Sekretariati Organizativ dhe i Burimeve Njerëzore, jo më vonë se 3 ditë para datës së mbajtjes së primareve.
“Procesi i primareve për zgjedhjet e pushtetit vendor, si rregull, duhet të përfundojë jo më vonë sesa 30 ditë nga afati maksimal ligjor që Kodi Zgjedhor parashikon për dorëzimin e kandidaturave nga Partitë dhe jo më vonë sesa 30 ditë nga afati maksimal ligjor për dorëzimin e kandidaturave nga koalicionet zgjedhore. Ky afat mund të reduktohet në 15 ditë përpara datës së zgjedhjeve, në rastet e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Në mbyllje të primareve për zgjedhjet e pushtetit vendor, konsiderohet i përzgjedhur dhe fitues ai kandidat i cili merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i votave të vlefshme në një zonë të caktuar.Në rast se asnjë nga kandidatet nuk merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i votave të vlefshme, atëherë kalojnë në balotazh dy kandidatët me numrin më të lartë të votave. Në rast ndarje votash në mënyrë të barabartë, kandidati apo kandidatët që kalojnë në balotazh hidhen me short. Shorti zhvillohet nga KOKOE brenda 24 orëve nga shpallja e rezultatit.”- sqarohet në dokumentin që pritet të miratohet nga Këshilli Kombëtar i PD-së.
Votimet për balotazhin zhvillohen 7 ditë pas datës së primareve dhe konsiderohet i përzgjedhur dhe fitues kandidati i cili merr numrin më të lartë të votave të vlefshme.
Pas përmbylljes së procesit të primareve dhe në përputhje me Statutin e PDSH, lista përfundimtare e kandidaturave elektorale të PDSH-së miratohet me vendim të Këshillit Kombëtar, sipas propozimit të Kryesisë së PDSH-së, bazuar në rezultatin e primareve.
KRITERET
Kandidatët e interesuar për të marrë pjesë në primaret për zgjedhjet e pushtetit vendor, evidentohen nëpërmjet:
a) vetëpropozimit;
b) propozimit nga anëtarësia; ose
c) propozimit nga organet qëndrore të PDSH-së.
Pavarësisht nëse një kandidat mund të propozohet për të garuar në më shumë sesa një zonë, nuk lejohet që një kandidat të aplikojë për t’u paraqitur njëkohësisht në më shumë sesa në një garë primare.
Kur kryetari ose sekretari i degës dëshirojnë të garojnë në primare për zgjedhjet e pushtetit vendor, këta të fundit duhet të aplikojnë brenda 3-ditëve nga data e shpalljes së primareve duke dhënë dorëheqjen e menjëhershme nga mandati i tyre si kryetar ose sekretar i degës.
Kandidatët në primare për zgjedhjet vendore duhet të jenë personalitete publike me profil të lartë politik ose profesional, integritet dhe me ndikim shoqëror në komunitetin ku jetojnë e punojnë.
Kandidatët që duan të kualifikohen për në primare duhet gjithashtu të plotësojnë këto kritere:
a) Të mos ndodhen në kushtet e pazgjedhshmërisë në një funksion publik, sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i ndryshuar;
b) Deri në datën 02.07.1991, të mos ketë qënë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degës së Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, apo gjyqtar në procese politike;
c) Të jenë aktiv në jetën publike, duke mbrojtur kurdoherë interesat, vlerat dhe parimet e PDSH;
d) Të kenë dhënë kontribut në fushatat elektorale për Partinë Demokratike, si dhe,
e) Si rregull të ketë kryer arsimin e lartë;
f) Të mos kenë në fuqi masa disiplinore për shkelje të statutit të PDSH, Rregullores së Brendëshme dhe Kodit të Sjelljes së Mirë, Etikës dhe Integritetit të PDSH.
Vlerësimi i përmbushjes së kushteve dhe të kritereve të kandidatëve që duan të kualifikohen në primare, kryhet nga Këshilli i Kualifikimit (në vijim “KK”). KK është organ ad-hoc këshillimor i cili ndihmon Kryesinë e PDSH dhe i rekomandon Kryesisë listën e kandidatëve që kualifikohen të garojnë në primare. Këshilli i Kualifikimit ngrihet me vendim të Kryesisë së PDSH ditën që njoftohet zyrtarisht zhvillimi i primareve.
KK përbëhet nga 3 deri në 5 anëtarë, të cilët përmbushin këto kritere:
a) Janë personalitete dhe figura të shquara të Partisë Demokratike;
b) Nuk kanë konflikte interesi me kandidatët potencial të primareve.
Çdo kandidat i interesuar për të marrë pjesë në primare duhet të paraqesë pranë Sekretariatit organizativ dhe Burimeve Njerëzore të PDSH, brenda 7 ditëve nga shpallja zyrtare e primareve, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Një kërkesë formale të kandidatit ku shpreh vullnetin e tij/saj për të marrë pjesë në primare, duke specifikuar qartë zonën ku ai dëshiron të kandidojë;
b) CV të shkurtër profesionale dhe politike të përditësuar të kandidatit; si dhe
c) Formularin e vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës, sipas formatit të KQZ
d) Vetëdeklarim se nga data 29.11.1944 deri në 02.07.1991, nuk ka qënë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i Degës së Punëve të Brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim-Internimeve, hetues, prokuror, apo gjyqtar në procese politike;
e) Vetëdeklarim se ndaj tij nuk ka masa disiplinore në fuqi për shkelje të Statutit të PDSH, Rregullores së Brendëshme dhe Kodit të Sjelljes së Mirë, Etikës dhe Integritetit të PDSH
Pas mbylljes së fazës së dorëzimit të aplikimeve, dokumentacioni i kandidatëve për në primare merret në shqyrtim nga KK, i cili duhet të përfundojë procesin e vlerësimit brenda 15-ditëve sipas një metodologjie të miratuar. Në përfundim të këtij procesi, KK i propozon Kryesisë së PDSH listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret dhe kushtet për të marrë pjesë në secilën prej primareve.
/rtsh.al/