Në zgjedhje me një hartë të re? PS kundër 92 bashkive. Felaj: Presim reflektim nga opozita

Partia Socialiste nuk i ka thonë “Jo” përfundimisht projektit të opozitës për ndarjen e re territoriale. Gjatë intervistës në emisionin “Pa Censurë”, nënkryetarja socialiste e Parlamentit Ermonela Felaj, kundërshtoi qartë numrin 92 të bashkive të propozuara nga opozita. Ajo thotë se harta e re territoriale bazohet mbi llogari elektorale të PD dhe jo sipas interesit të qytetarëve. Megjithatë, një derë është lënë hapur për atë që quhet reflektim nga PD.
Pjesë nga intervista e nënkryetares së Parlamentit për emisionin “Pa Censurë”.
Elona Meço: Ju duket i arsyeshëm ndarja me mbi 90 bashki?
Ermonela Felaj: Ne jemi për një ndarje territoriale që ka 61 bashki. Nëse ne do të pranonim ndryshime për ndarjen administrative territoriale, do ta benim që t’i shërbente rritjes së shërbimit të qytetarëve, por kur reforma teritoriale kërkohet për llogari elektorale, qëllimi i të qenit në funksion të publikut, ka rënë. Kështu që ne nuk mund t’i nënshtrohemi kësaj gjëje. Kërkohet të bëhen bashki territore krejt të vogla, duke mos u orientuar nga analiza për përmirësimin e shërbimeve të popullsisë. Eshtë një analizë e pastër elektorale. Këtu ne nuk biem dakord. Nuk jemi në atë komision për të siguruar llogaritë elektorale të dikujt.
Elona Meço: Ka ndonjë mundësi që deri në 21 tetor PS të bindet për të shkuar në zgjedhje me një hartë të re?
Ermonela Felaj: Shpresoj që ky konstatim i imi që ka në qendër shërbimin e qytetarëve t’u shërbejë kokegëve të PD-së për të bërë një lloj reflektimi.
Elona Meço: Reflektim është që të ulin numrin e bashkive?
Ermonela Felaj: Të adresojnë mekanizma të tillë që mund të shërbenin për reformën administrative, por në funksion të qëllimit që thashë, shërbimit më të mirë të qytetarëve.
/rtsh.al/