E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokumenti i Policisë i Dajtit, i falsifikuar

Përfundon ekspertimi grafik për tre distinktivë dhe një patentë italiane me emrin Agron Zeneli

TIRANË- Dokumenti në të cilin Dritan Dajti rezultonte të ishte oficer policie me emrin Agron Zeneli, është i falsifikuar. Ky është konkluzioni i ekspertëve grafistë të Policisë Shkencore, të cilët kanë kryer edhe ekspertimin e dokumentit të policisë të sekuestruar Dritan Dajtit, me shtatë gusht ditën e arrestimit të tij. Ky fakt konfirmohet nga burime të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda që po hetojnë ngjarjen e shtatë gushtit, ku i akuzuar kryesor është Dritan Dajti. "Tre dokumentet e Policisë, ku dy prej tyre ishin prej letre dhe një plastik ishin të tre të modeleve të këtyre tetë viteve të fundit të përdorura nga Policia e Shtetit.

Në tri kartat e identitetit, fotoja është e Dritan Dajtit i cili ka pozuar me uniformë policie dhe i vrenjtur në fytyrë dhe se mbante gradën e nën/komisarit me emrin Agron Zeneli, punonjës pranë Komisariatit të Policisë së Korçës. Këto karta kishin numër serie, vulat dhe firmën e titullarit më të lartë të Policisë së Shtetit, rezultuan të falsifikuara",-thanë burimet pranë Institutit të Policisë Shkencore. Gjithashtu, këto burime konfirmuan se edhe patenta italiane me foton e Dritan Dajtit por me emrin Agron Zeneli është e falsifikuar.

Sipas tyre, këto falsifikime janë kryer nga një dorë profesionistësh, duke skanuar nga një skaner me ngjyra një kartë origjinale të Policisë së Shtetit që më pas i kanë ndërruar emrin, foton dhe të dhënat e tjera personale bashkë me gradën. Sipas burimeve nga akuza, mësohet se në fotot e kartave të identitetit të policisë i shumëkërkuari kishte dalë madje me një pamje serioze dhe pak të egër, duke u përshtatur kështu edhe me ashpërsinë e gradës së "fituar" në polici, si nën/komisar. Ndërsa, në foton që ndodhej në patentën italiane, i shumëkërkuari është fotografuar serioz por me një mjekër të vogël me model në fytyrë.

"Jemi në fazën e verifikimit të të dhënave, se kush nga oficerët që komunikonte me kunatin e Dajtit, të arrestuarin Ergest Xhoxhi e ka ndihmuar të dënuarin me 25 vite burg me një kartë origjinale e cila është skanuar dhe është falsifikuar dhe printuar",-thanë burimet e pranë Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB-së).

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›