E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen 2 skafistë që trafikonin marijuanë

Të arrestuarit kërkoheshin prej vitit të kaluar, kur policia kufitare bllokoi një skaf me 116 kg marijuanë në bord


Në operacionin e vitit të kaluar u arrestuan katër persona ndërsa dy të arrestuarit e djeshëm nuk ishin identifikuar

VLORË- Dy persona nga qyteti i Vlorës, të cilët ishin vënë nën hetim dhe në kërkim që prej një viti, të dyshuar si pjesë e një grupi të të trafikut të narkotikëve, janë arrestuar të akuzuar për trafik droge të kryer në bashkëpunim dhe shkelje të moratoriumit për skafet. Dy net më parë, atyre iu është bllokuar edhe një motoskaf 5.5 metra i gjatë pa dokumentacionin e duhur, ndërsa dyshohet se do shkonin drejt Borshit.


Roland Lulaj, 29 vjeç, dhe Ardian Grockaj, 31 vjeç, nga Vlora, janë arrestuar rreth orës 19:00 të së premtes nga Policia Kufitare e Vlorës në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit.


Arrestimi i tyre është bërë i ditur nga burimet zyrtare të Policisë së Shtetit, ku thuhet se ndaj dy të arrestuarve kishte filluar procedimi penal që një vit më parë, pas një vendimi të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për t'i mbajtur nën hetim dy të arrestuarit.


Dyshohet se të arrestuarit janë pjesë e një grupi të organizuar për trafikimin e lëndëve narkotike, në drejtim të Italisë, ku katër pjesëtarë të të njëjtit grup u arrestuan në tetor të vitit të kaluar në një operacion të Policisë së Vlorës, që çoi në bllokimin e 116 kg hashash bashkë me një gomone.Mësohet se arrestimet e së premtes kanë ardhur në vijim të disa arrestimeve të kryera që më 17 tetor të vitit 2008 në qytetin e Vlorës, ku përfunduan në pranga Aranit Bida, Avni Dhrami, Blerim Beqiraj dhe Aleksandër Begu, kur policia e Vlorës bllokoi në Gjirin e Vlorës, një gomone me 116 kg hashash me destinacion Italinë. Sipas hetuesve, Lulaj dhe Grockaj, janë pronarë të gomones së sekuestruar në Vlorë një vit më parë, ndërsa katër të arrestuarit e tjerë e kishin siguruar drogën në Fier me qëllimin trafikimin e saj në Itali.


Gjatë arrestimit të dy të dyshuarve për trafik të lëndëve narkotike, janë sekuestruar dhe nën cilësinë e provës materiale: një motoskaf me gjatësi 5.5 metra, dy motorë lundrues, katër aparate celularë dhe rreth 1850 euro. Mjeti i bllokuar nga policia mësohet se po drejtohej nga Gjiri Vlorës në drejtim të Borshit.


Ndërkaq një javë më parë, një tjetër skaf la Vlorën me marijuanë ndërsa u kap në brigjet italiane nga rojet bregdetare të këtij vendi. Për këtë shkak dyshohet se dy ditë më parë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi, shkarkoi kreun e Policisë së Vlorës, Vehbi Bushatin, i cili pritet që të emërohet në të njëjtën detyrë në Elbasan.


Por përveç numrit një të Policisë së Vlorës, nga detyra jaë shkarkuar dhe zv. drejtori, shefi i policisë kufitare, shefi i komisariatit dhe drejtuesi i postës kufitare të Dhërmiut, pas bllokimit të gomones me 314 kilogram hashash në brigjet italiane, më 22 gusht 2009 ku u ndaluan edhe katër skafistët nga Vlora. Droga u bllokua në kanalin e Otrantos, pas një operacioni të policisë italiane, zhvilluar nga ajri dhe deti.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›