Arrestohet në Athinë i akuzuari i "Qafë Gjashtës"
Policia greke arrestoi një nga të dyshuarit për masakrën, për të cilin kishte një urdhër arresti ndërkombëtar
TIRANE- Arrestohet në Athinë Arben Këndezi, një nga personat e kërkuar dhe të dyshuar për masakrën e Qafë Gjashtës në Sarandë në vitin 1997. Këndezi po gjykohet në mungesë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, i akuzuar si pjesëmarrës në masakrën e "Qafë Gjashtës" ku u vra dhe u dogj trupi i oficerit të policisë Kriminale Gjergj Mehmeti. Arben Këndezi, 41 vjeç, ishte shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit dhe Interpol Tirana që prej muajit janar të vitit të kaluar me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda në kryeqytet.
Në njoftimin e saj zyrtar Policia tha se Arben Kendezi me datë 4 mars 1997, në vendin e quajtur "Qafë- Gjashtë" të Sarandës, në bashkëpunim me Vladimir Kendezin, Ristan Lapa, Agron Qurku, Aleksander Bala dhe Alqi Paguni, kanë qëlluar kundër forcave të policisë duke vrarë oficerin e policisë Gjergji Mehmeti"-. Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, me vendimin e datës 20 janar 2008 ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg" në mungesë, për akuzën e "vrasjes për shkak të cilësive të veçanta, e kryer në bashkëpunim".
Sipas njoftimit të policisë, i arrestuari i djeshëm Arben Kendezi, 41 vjeç, veç akuzës për pjesëmarrje në masakrën e "Qafë Gjashtës" akuzohet edhe si bashkëpunëtor në grabitjen e Bankës së Kursimeve të Sarandës, 13 ditë pas masakrës së "Qafë Gjashtës". Për këtë ngjarje Këndezi është dënuar me gjashtë vite burg nga Gjykata e Vlorës që është lënë në fuqi më pas edhe nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë. Këndezi në bashkëpunim me Flamur Kendezin, Agron dhe Janaq Qurkun, Sandro Bollanon, Andrea Fotin, Edmond Sejkon Artan Nebiun, Vladimir Sinanin, Genci Bajramin, Ivan Veselin, Lefter Tushën dhe Gjergji Qysarin grabitën në mars 1997, degën lokale të Bankës së Kursimeve.