Doli e vërteta mbi organizatorët anti-amerikanë të 21 janarit
Në një shkrim të datës 29 prill të këtij viti, gazeta “55” botoi një shkrim të titulluar “Gjurmët e konsulentëve të Ramës të çojnë tek linja e tij antiamerikane”. Gazeta i referohej faktit se ndërsa kandidati fitues i Partisë Demokratike për Tiranën Lulzim Basha përzgjodhi konsulentë amerikanë për fushatën e tij, tjetër lloj Edi Rama, i cili angazhoi një zyrë konsulence italiane të drejtuar nga spin-doctor-i Luigi Crespi, i cili sëbashku me të vëllanë, Ambrogio Crespi dhe kolegun e tyre Emanuele Floridi organizuan imazhin e fushatës elektorale të liderit socialist. Këto dy të fundit në ditarin e tyre në internet (http://misterblog.it/diario-da-tirana) shkruanin në postimin “Nostalgji për të Ardhmen” se, edhe pse vëllait të tij Luigi ardhja në Tiranë i ka bërë mirë, ai sqaron “se nuk do të ndalet këtu në Tiranë, se tani me Emanuele Floridin dhe me Michelangelo Tagliaferri-n do të shkojnë kudo për të kundërshtuar hegjemoninë amerikane në organizimin e fushatave zgjedhore në botë…jeni të paralajmëruar!!!”.
Me këto fjalë paralajmëruese për kundërshtimin ndaj hegjemonisë imperialiste amerikane mbyllej postimi i zyrës së konsulencës që merrej me imazhin e Ramës në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë. Kësisoj mësojmë se Rama i kish thirrur italianët jo vetëm për të organizuar imazhin e tij, por edhe për t’ju kundërvënë hegjemonisë së pranisë amerikane në opinionin publik shqiptar. Prandaj me shumë mundësi që sulmet ndaj ambasadës amerikane në Tiranë, dhe posaçërisht ambasadorit Arvizu të ishin pjellë e një plani-veprimi të “revolucionarëve” romantikë të Ramës, që donin të frenonin hegjemoninë e ideologjisë amerikane, në organizimin e fushatave elektorale në botë. Rezultati del se është që Edi Rama për më shumë se 6 muaj paska qenë peng i celulës radikale dhe nën efektin e kulturës antiamerikane brenda PS-së. Vetë ambasadori amerikan, një dite më parë u shpreh qartë në një intervistë se “pas 21 janarit ka pasur një celulë anti-amerikane”. Dhe ai ka shpjeguar një fenomen “që ne e kemi parë në atë periudhë, që ka qenë një antiamerikanizëm i organizuar, i drejtuar dhe ka pasur një celulë, ka pasur drejtues, ka pasur mbështetje biznesi, ka pasur gjithashtu edhe makineri”. Afërmendsh qëndrimi i prerë dhe i qartë i SHBA-ve për demonstratën e dhunshme të 21 janarit, të organizuar nga Partia Socialiste dhe tashmë të pranuar me editorial nga Rama, ku humbën jetën 4 të panafakë, kanë nervozuar jo pak Edi Ramën.
Sakaq nuk është mister se cilët janë personazhet që përbëjnë celulën e sofistikuar anti-amerikane në Shqipëri. Janë po të njëjtit njerëz që stërvitën guerilët dhe ideuan skenarin e 21 janarit kundër kryeministrisë. Janë të njëjtët frymëzues racistë që sulmun mediatikisht për “kinezëri” ambasadorin e SHBA-ve. Janë po të njëjtit që koordinuan zotimin e Ramës me 20 janar, ku tha se ne nuk do të kapërcejmë mbi të vdekurit, kur të vdekurit do të ishin të nesërmen e 21 janarit.
Është kuptueshme për të gjithë se makineritë për të cilën flet ambasadori Arvizu është po e njëjta makinë e mbushur me tritol gati për të sulmuar kryeministrinë pas hapjes së derës nga makina e parë që u lëshua nga organizatorët mbi kangjella. Loja ka qenë e madhe. Krahu radikal dhe militar brenda PS-së pretendoi t’i jepte një mesazh ndërkombëtarëve me 21 janar. Një provë force për t’u faktorizuar pas humbjes së besueshmërisë, që ishte rezultat i kauzës së pasinqertë dhe asaj absurd të hapjes së kutive.
Më në fund gjërat u thanë jashtë dhëmbëve. Partia Socialiste është peng jo vetëm një anti-amerikanizmi atavik, por edhe një anti-amerikanizmi ideologjik të organizuar si një celulë komuniste. Reflekset e vjetra kundër imperializmit amerikane brenda partisë trashëgimtare të Partisë së Punës janë të vështira për t’u mposhtur.