E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontributi i qeverive të djathta europiane për daljen nga kriza globale

22-09-2011 / Nga Ilirian Dahri

Kriza globale ka përfshirë edhe vendet e Bashkimit Europian nga Irlanda tek Portugalia për të përfunduar me Greqinë. Gjithsesi edhe  pse në Lisbonë situata nuk është përmirësuar përnjëherë, sepse forcimi i ekonomisë nga ana e qeverisë të qendrës së djathtë sapo ka filluar,  qeveria e qendrës e së djathtë së Portugalisë, sipas ekspertëve europianë, është duke bërë maksimumin për daljen nga kriza. Ndoshta rruga e Portugalisë është pak më e mundimshme se e ndonjë vendi tjetër, sepse qeveria e Lisbonës duhet të ndërhyjë pikërisht në sistemin e saj ekonomik në mënyrë që të bëjë të mundur kompetivitetin e saj. Por siç konfirmon edhe Fondi monetar ndërkombëtar në raportin e tij të parë për Portugalinë, ky vend duhet të gjejë rrugën e rritjes ekonomike që gjithsesi deri në fund të vitit 2011 nuk mund të jetë pozitive, por gjithsesi duhet të vazhdojë me reduktimin e peshës së shtetit në ekonominë e vendit. Sidoqoftë qeveria e qendrës së djathë prej kohësh tashmë ka nënvizuar se “ky është plani më i ashpër për shkurtimet e shpenzimeve publike që prej vitit 1974”. Ndonjëherë duket se fatet e Portugalisë janë të lidhura me ato të Greqisë, por herë-herë duket se të dy krizat janë të ndryshme sepse nëse plani i masave të qendrës së majtë greke i aprovuar edhe me ndihmën e ekspertëve  europianë duket se nuk është gjithsesi shumë bindës, nga ana tjetër plani  i qeverisë së qendrës së djathtë portugeze për daljen nga kriza ka qenë i promovuar nga ana e eurogrupit. Dalja nga kriza është shumë e rëndësishme për vetë vendet por edhe për Bashkimin Europian në përgjithësi sepse në të kundërt mund të vihej në rrezik vetë bashkimi monetar me daljen e ndonjë vendi nga zona euro. Ndërkaq, kriza që aktualisht po përballon Greqia është konsideruar nga vetë ministri i Financave të Greqisë Evangelos Venizelos, në fjalën e tij para parlamentit grek, si ‘kriza më e madhe që prej kohës të luftës civile”. Në fakt, qeveria e vendit fqinj ka njoftuar masat e reja të cilat kërkojnë të nxjerrin vendin prej krizës financiare. Një krizë e cila po zgjatet dhe nuk dihet se kur mund të përfundojë. Janë dashur takime dhe takime të pafundme në këto muajt e fundit me krerët e shteteve dhe të qeverive të vendeve të Bashkimit Europian por duket se asgjë konkrete nuk po ndodh me ekonominë greke. Edhe ministri grek i Financave Venizelos është i ndërgjegjshëm se situata e Greqisë është tejet e rëndë. Madje në momentin e emërimit të tij si Ministër i Financave kishte deklaruar se “po shkoj në luftë”, ndërsa këto ditë po kujton gjithmonë dhe më shumë se Greqia duhet të bëjë edhe sakrifica të tjera sepse vendi  ndodhet në një rrezik të madh. Por në këtë situatë të rënduar ministri ka kërkuar edhe ndihmën e vendeve të tjera të Bashkimit Europian duke theksuar se vendi i tij duhet “të dalë prej krizës me ndihmën e vendeve të euros” ndoshta duke ju përgjigjur në mënyrë indirekte Kinës e cila nëpërmjet delegatëve të saj që vizitonin Italinë ishte shprehur e gatshme se kërkonte të ndihmonte dy shtete si Italia dhe Spanja, por jo Greqinë. Fjalët e ministrit të vendit fqinj mund të interpretohen  në të njëjtën kohë se Greqia nuk do të braktisë kurrë monedhën euron për t’u rikthyer tek dhrahmia dhe se sipas tij Greqia “do të jetë gjithmonë një anëtar i Eurozonës”. Në telekonferencën e zhvilluar me përfaqësuesit e të ashtuquajturës ‘troika’ ku merrnin pjesë Paul Thomsen (i Fondit monetar ndërkombëtar), Mathias Mors (i komisionit europian) dhe Klaous Mazuk (i Bashkimit Europian), mes të katërve u arrit një marrëveshje për masat që duhen ndërmarrë duke përcaktuar ndërkaq një takim të mundshëm që mund të zhvillohet në Athinë javën tjetër. Flitet se do të ndërmerren masa shumë të ashpra që kanë të bëjnë me shkurtimet e shpenzimeve, me çmimin e naftës për ngrohje çmimi i të cilës mund të barazohet me atë që përdoret për automjetet, me reduktimin e rrogave dhe të pensioneve, me shkuritemet në sektorin publik. Por që plani i masave të qeverisë Papandreu të ketë sukses të majtëve u duhet një punë kolosale, për një të ardhme më të mirë, për të bindur elektoratin e tyre se vetëm nëpërmjet shkurtimeve Greqia mund të dalë nga kriza. Duke parë manifestimet e ndryshme në qytetet kryesore të Greqisë, ku prania e manifestuesve të majtë është e konsiderueshme, duket se planin e qeverisë të majtë të Papandreut nuk e mbështesin as vetë të majtët.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›