OST: Zonat pa drita sot në Tiranë
Rikthehen ndërprerjet e energjisë elektrike në Tiranë. Shkak për këtë janë punimet që do të kryhen në nënstacionin e Uzinës së Traktorëve. Sipas burimeve zyrtare nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), sot do të kryhen punime në linjën 110 kv, e cila lidh nënstacionin e Uzinës së Traktorëve me nënstacion 220 kv të Tiranës. Për pasojë, konsumatorët nga ora 09:00-15:00, nuk do të kenë energji elektrike. Sipas OST-së, energjia do të mungojë në zonat: ”Kodra e Priftit”, Rruga” Elbasanit”, Rr. ”Bardhyl” dhe Rr. ”Ali Demi”. Që pas përmirësimit të situatës hidrike, KESH nuk aplikon më ndërprerjet e energjisë elektrike në vend. Aktualisht situata hidrike në Fierzë është goxha e mirë, aq sa KESH ka nisur sërish eksportin e energjisë elektrike, i cili do të vazhdojë deri në fund të muajit. Për herë të parë, KESH nisi eksportin e energjisë gjatë muajit shkurt dhe, sasia e energjisë së eksportuar drejt Greqisë arrinte vlerën prej 5 milionë euro. Ndërkohë që janë nënshkruar kontratat e eksportit edhe për muajin prill, ku do të eksportojë plot 53.360 kWh energji elektrike. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, KESH ka lidhur kontratat e eksportit të energjisë me Kosovën, me Greqinë dhe kompaninë “Atel”. Sipas kontratës së nënshkruar me kompaninë elektronergjitike kosovare KEK, eksporti i energjisë do të jetë i ndarë në tre lote. Gjatë lotit të parë ka nisur eksporti i energjisë që nga data 1 prill dhe ka vazhduar deri më 9 prill. Në lotin e dytë, eksporti nis me datë 22 prill deri më 30 prill “Eksporti i energjisë, në total, për periudhën 05.04.2009 – 18.04.2009, do të jetë 6.9 milionë kwh në ditë, si dhe duke parashikuar një konsum prej rreth 17 milionë kwh në ditë, parashikohet që të prodhojmë rreth 24 milionë kwh në ditë”, kanë sqaruar burimet pranë kësaj ministrie.
Zonat pa drita
• “Kodra e Priftit”
• Rruga Elbasanit”
• Rr ”Bardhyl”
• Rr ”Ali Demi”