E Diel, 1 Nëntor 2026

Domenek: I pakënaqur, por aspak i alarmuar

Franca

“Nuk mund të them se nuk mbeta i kënaqur për mënyrën sesi skuadra ime luajti përballë Kinës. Nuk ishim të freskët dhe mund të ishim paraqitur më mirë. Megjithatë, nuk duhet të alarmohemi. Ishte thjesht një ndeshje përgatitore dhe kemi ende një javë kohë për t’u përgatitur për ndeshjen e parë në botëror kundër Uruguait”. Edhe pse nuk është aspak e lehtë, Rajmond Domenek mundohet të mos e dramatizojë humbjen e papritur të Francës, në testin e fundit përpara startit të Kupës së Botës 2010 përballë Kinës. Drejtuesi i stolit të “gjelave” pretendon se ka marrë sinjale pozitive dhe se skuadra është përmirësuar: “Unë analizoj lojën dhe rastet që krijojmë, jo vetëm rezultatin e ndeshjes. Portieri kinez ka bërë mrekulli me ndërhyrjet e tij. A është kjo humbje mënyra më e keqe për t’u përgatitur për botërorin? Përgjigjen do t’ua jap më 11 korrik”. Në miqësoren me Kinën, Domenek regjistroi prezencën e 76-të në krye të stolit të Francës, duke u bërë trajneri më jetëgjatë që ka punuar me blutë. Tashmë ai ka vendosur një rekord të ri, duke lënë pas vetes Mishel Hidalgon, i cili e ka drejtuar përfaqësuesen në 75 takime. Domenek mori drejtimin e skuadrës më 12 korrik 2004, e pavarësisht se nuk ka fituar asnjë trofe, është i vetmi teknik që ka drejtuar Francën në fazat finale të tri aktiviteteve madhore (Botërorët 2006 dhe 2010 dhe Euro 2008). Bilanci i tij është 41 fitore, 16 barazime dhe 19 humbje.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›