Rruga e Botërorit: Qytetet dhe stadiumet ku do të luhen ndeshjet
Kanë mbetur vetëm pesë ditë nga fillimi i Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut. Më 11 qershor do të jepet edhe fërshëllima e parë e këtij edicioni të aktivitetit më prestigjioz për ekipet përfaqësuese. Ndërkohë, le t’i hedhim një sy qyteteve dhe stadiumeve ku do të luhen ndeshjet e Botërorit të futbollit.
JohanesburgQyteti më i rëndësishëm dhe më i madh i Afrikës së Jugut, me 3,2 milionë banorë. Ndodhet në lartësinë 1723 metra mbi nivelin e detit dhe është pikëtakimi i kulturave të ndryshme të vendit. Ndeshjet në Johanesburg do të zhvillohen në dy stadiume: “Soccer City” dhe impiantin “Ellis Park”. I pari ka kapacitet prej 94 mijë vendesh dhe është ndërtuar sipas stilit tipik afrikan. Aty do të zhvillohet ceremonia e hapjes së aktivitetit dhe finalja e Kupës së Botës, më 11 korrik.
Kejp Taunështë padyshim një prej qyteteve më interesante të Afrikës së Jugut, me peizazhe spektakolare ku ndërthuret deti dhe mali. Një prej pjesëve që duhet vizituar është “Table Mountain”, nga ku shihet një panoramë e jashtëzakonshme e “Robben Island”, ishullit që ndodhet vetëm shtatë kilometra larg qytetit dhe që është i famshëm për burgjet e tij: i burgosur ka qëndruar edhe Nelson Mandela. Kejp Taun njihet edhe për jetën e natës, mbi të gjitha në lokalet e “Long Street”. Ndeshjet do të luhen në stadiumin “Green Point”, i ndërtuar pjesërisht mbi një ish-fushë golfi dhe që është godina më e kushtueshme e qytetit. Në impiantin që ndodhet vetëm pak hapa larg detit do të zhvillohet njëra prej dy gjysmëfinaleve.
DurbanQytet karakteristik, me një bregdet shumë të gjatë dhe plazhe ëndrrash. I famshëm për “uShaka Marine World”, një park i jashtëzakonshëm, i cili i është dedikuar botës ujore. Në Durban, ndeshjet do të luhen në stadiumin “Moses Mabhida”, i cili do të presë gjysmëfinalen tjetër. Arkitektura e impiantit është karakteristike dhe e frymëzuar nga flamuri kombëtar: me tribuna të mbuluara dhe fushë të hapur, ku paraqitet edhe një hark i madh, që përfaqëson unitetin e vendit.
RustenburgNjë qytet që ndodhet në zemër të savanës, i famshëm për minierat e platinit. Stadiumi “Royal Bafokeng” është ndërtuar në 12 kilometra distancë nga qendra e Rustenburgut dhe për ndeshjet e Botërorit është instaluar një ekran gjigand dhe janë shtuar 3000 vende për tifozët.
PolokvaneGjendet në kufirin mes Botsvanas, Zimbabvesë dhe Mozambikut. Një qytet me klimë tropikale dhe peizazhe piktoreske. Brenda shpellës së Makapanit ruhen fosile dhe mbetje të Epokës së Gurit. Stadiumi “Peter Mokaba” ka një dizajn shumë të veçantë, i cili frymëzohet nga pema afrikane e baobabit.
NelspruitShtrihet në verilindje të Afrikës së Jugut dhe njihet edhe si vendi ku lind dielli. Aty pranë ndodhet edhe Parku i Krugerit, një prej parqeve më të rëndësishëm. Stadiumi “Mbombela” mund të përkufizohet si një prej më origjinalëve, që krijon imazhin e kafshëve simbol të vendit: shtyllat ku është instaluar mbulesa e tribunave ngjasojnë si gjirafa, ndërsa stolat bardhë e zi të sjellin në mendje zebrat.
Pretoriaështë kryeqyteti administrativ i Afrikës së Jugut dhe një qytet mjaft interesant ku ndërthuret antikja me modernen: arti bashkëkohor bën kontrast me monumentet historike. Aty ndodhet universiteti më i madh i vendit dhe një prej kopshteve zoologjike më të rëndësishëm në botë. Stadiumi “Loftus Versfeld” është ndërtuar në vitin 1906 dhe përdoret edhe për ndeshjet e regbisë.
Port ElizabetNjë prej qyteteve më të vlerësuara të Afrikës së Jugut: plazhet janë të mahnitshme dhe spikat arkitektura tipike viktoriane. Stadiumi “Nelson Mandela Bay” do të presë tetë ndeshje, mes të cilave edhe sfidën për vendin e tretë në Kupën e Botës.
BloemfonteinBloemfontein është kryeqyteti legjislativ. I famshëm për kopshtet e tij, njihet ndryshe edhe si qyteti i trëndafilave. Stadiumi “Free State”, ku do të zhvillohen gjashtë ndeshje, ofron deri në 45 mijë vende. Tifozët e këtij qyteti cilësohen si më entuziastët në të gjithë vendin.
#