E Shtunë, 31 Tetor 2026

Domethënia tjetër e ‘DokuFestit’

Padyshim se Prizreni është sinonim i Kulturës dhe ngjarjeve kulturore në Kosovë. Megjithatë kohë më parë Prizreni ishte vendi ku u zhvillua një ritual i pazakontë në traditën dhe kulturën më të re shqiptare. Një artist le amanet që hiri i trupit të tij të derdhet në Lumëbardhë. Po kush është ky artist që i lëvizi shekujt na ktheu te rrënjët, duke na përkujtuar tumat ilire ku me trupin e fikur varroseshin edhe gjërat më të dashura të shpirtit të tij. Nuk është enigma, ky është Bekim Fehmiu, artist i përmasave botërore. (...)

Në këto ditë të nxehta vere, Prizreni përsëri do të jetë vendi ku do të zhvillohet një ngjarje e rëndësishme kulturore, respektivisht do të mbahet festivali i filmit dokumentar ‘DokuFesti’. Në shikim të parë asgjë e pazakontë, ngjarje kulturore në një vend të kulturës. Megjithatë shikuar nga aspekti i antropologjisë kulturore është pak më ndryshe.

Gjërat në vetvete kanë jo rëndomë një domethënie apo domethënie të pandryshueshme. Domethënia e tyre varet brenda kontekstit të përdorimit, apo çka ne themi, mendojmë dhe ndjejmë rreth tyre, si ne i prezantojmë ato, kështu ne mund t’u japin kuptim. Shpesh ne u japin domethënie ngjarjeve nga struktura e interpretimit që ne i sjellim atyre. Po ashtu u japim domethënie se si integrojmë ato në përditshmërinë tonë. Gjithashtu, ne u japim gjërave kuptim se si ne i prezantojmë ato, fjalët që përdorim rreth tyre, tregimet që ne i tregojmë për to, fotografitë që ne i bëjmë për to, emocionet që ne i asociojmë me to, mënyrën se si ne e konceptualizojmë apo klasifikojmë ato.

‘DokuFesti’ jo vetëm si ngjarje kulturore, por ka edhe një kuptim e domethënie tjetër. E çfarë është ajo? Në kuptimin se, për njerëzit, tashmë ‘DokuFesti’ është një kufi që përcakton vendimet e tyre, më konkretisht: pushimet si pikë referimi kanë ‘DokuFestin’. Kjo për etnologët apo antropologët kulturore nuk është gjë e zakonshme, nuk mund të merret vetëm si përgjigje e thjeshtë. Theksimi i kulturës në praktika kulturore është e rëndësishme. Janë pjesëmarrësit në kulturë, që i japin kuptim njerëzve, objekteve dhe ngjarjeve. Në këtë rast ‘DokuFesti’ nuk po mbetet vetëm një ngjarje kulturore, por pikë referimi për pushimet verore një kuptim tjetër i kësaj ngjarjeje.

Në këtë mënyrë ne festivalit i japin domethënien dhe vlerësimin më tepër sesa një shikim filmash dhe argëtim. Tani më po ka ndikim dhe integrim në përditshmërinë e jetës. Në këtë mënyrë konstruktohet edhe domethënia tjetër e festivalit dhe pse jo kjo mund në një të ardhme të transmetohet tutje tek të tjerët, të bëhet praktikë kulturore, Pra, nuk është pak t’i japësh kulturës domethënien e caktuar në mënyrën e jetës tënde.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›