E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherifi

Poetin e takojmë pak kohë pasi ka pasur një mbrëmje poetike që është organizuar për nder të tij në librarinë Dit’ e nat’.

Në moshë shumë të vogël, shqiptoi fjalët frëngjisht, në adoleshencë filloi dhe të shkruajë në këtë gjuhë, mirëpo origjina e tij vjen nga Tropoja e Valbonës dhe këtë nuk e harroi, e kultivoi çdo ditë, për të ardhur një ditë në Kosovë dhe Shqipëri e për t’i dhënë edhe lexuesit shqiptar poezinë dhe jetën e tij nëpërmjet poezisë.

Skender Sherifi, poet shqiptar i cili krijimtarinë e tij poetike e zhvillon në botën frankofone, me krenari i kthehet origjinës.

“I ati im ka qenë nga Tropoja, nga Valbona, u burgos, kaloi pesë vjet burg në kohen e Enverit dhe pastaj emigroi në Belgjikë, në atë kohë unë kam qenë fëmijë rreth 1 vjeç, kam qëndruar deri në moshën 14 vjeç në Belgjikë dhe kam kaluar në Francë, aty ku filloi rruga ime intelektuale, kulturore, artistike, gjithë ai evoluimi im është zhvilluar në botën franceze dhe në Bruksel, në dy qendra të frankofonisë”, thotë poeti Skender Sherifi.

I veçantë është fakti se si e ruajti gjuhën, ndonëse mësimet e para i nisi në një vend tjetër.

“E kam ruajtur gjuhën time, kam fol shqip, sepse më ka folur shqip i ati dhe gjithë familja, për fat të mirë e kam ruajtur gjuhën edhe pse jam rritur në një gjuhë dhe rreth tjetër”.

Jo shumë njihet në vendin e vet Sherifi, por edhe krijimtaria e tij poetike. Kjo pa dyshim është nga qëndrimi dhe jetësimi i veprës nëpër qendrat frankofone.

“Atje ndoshta njihem më shumë, sepse atje e kam zhvilluar një botë komplete, atje kam botuar libra frëngjisht, jam vlerësuar nga shtypi, kur kam botuar librat e para. Kur e kam botuar librin “Dikund Dikush” reagimi i shtypit frankofon, belg, francez, zviceran më kanë çuditur edhe mua, kam pasur rreth tridhjetë artikuj të shtypur, këtu ka filluar dhe të njihet dhe vlerësohet vepra ime”, tregon Sherifi.

Ndonëse rinisja e tij me shkrime ka qenë që nga mosha 14 vjeçare. Në atë moshë adoleshence ka filluar të shkruajë ditar, tekste poetike, kujtimet e tija, pastaj libri i parë që e ka botuar ka qenë me tekste të shkruara të moshës rreth 20 vjeç.

“Kam botuar në 80-tën në Paris “Dikund dikush”, libër i përkthyer në gjuhën shqipe nga Dr. Ibrahim Rugova”.

Sipas Sherifit, miqësia me Rugovën i solli shumë të mira dhe e ofroi me vendin. Rugova përktheu për lexuesin kosovar përmbledhjen “Oksigjeni”.

“Ai i lexoi poezitë e mia në gjuhën frënge, i lexoi dhe reagimet e shtypit francez për librin “Diku dikush”, një kulturë e paparë në botën shqiptare, me koncepte surealiste, moderniste dallonte me literaturën e vitit 76-80 në Kosovë dhe Shqipëri. Atëherë i përktheu tekstet e mia së bashku me mua, e bëri një kombinim tekstesh dhe i botoi tek “Rilindja” e cila ishte e vetmja shtëpi botuese në Kosovë.

Sherifi është poet, kokë e këmbë, nuk shkruan ndonjë gjini tjetër, gjithë ajo që kujtohet nga krijimtaria e tij përveç poezisë është një ese.

“E kam një ese me konceptin se si e gjykoj botën shqiptare, një refleksion një mendim personal, hapi tjetër në një gjini tjetër është një tekst për spektakël në jetën time, është botuar në frëngjisht dhe tani e kam përshtatur në shqip nga versioni origjinal francez “"Le trio Enternel" që të ja ofroj skenës Shqiptare”, u shpreh Sherifi

Përveç dy librave të botuara në Kosovë është libri me poezi "Ora e meteorëve" është libri i tij i parë i Skender Sherifit i botuar në Shqipëri, një botim i cili përfshin përzgjedhje prej librave të botuar më parë, duke prezantuar një pjesë nga veprat poetike të këtij poeti. Ndërsa libri "Love", renditet ndër 10 botimet më të mira në gjuhën frënge për vitin 2008.

“Librin “Love”, shtypi belg e kanë shpallur ndër dhjetë librat më të mire, që janë lexuar gjatë vitit 2008 në gjithë literaturën frankofone. E veçanta në atë listës me dhjetë libra, i vetmi libri im ishte me poezi. Të gjitha tjerat ishin roman, ese, biografi, tregime etj” u shpreh Sherifi.
Një stil i veçantë duhet të dallojë poetin, i cili bart mbi vete këtë krijimtari të bujshme poetike.

“Poezitë e mia e kanë një stil miks, i shumë stileve të cilat vijnë nga filtri im duke e krijuar një koktel timin, sepse baza e poezisë është jeta tek unë, jeta e jetuar. Baza është reale, diçka e jetuar ose nga jeta personale. Ajo çka kam thithë gjithë jetën me shumë aventura që t’i jep jeta, aty dhe e kam bazën e poezisë sime”, tha Sherifi në fund.

Librat e Sherifit

“Ora e meteorëve”
“Lojë e kunderlojë”
“ Oksigjeni “
“Atë jetë të ëndrrave”
“Pasioni”
“Love”
“Diku dikush”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›