E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulpiana me shtëpi

Tash e dhjetë ditë, qyteti antik i Ulpianës është shndërruar edhe një herë në një punishte.

Hulumtime në këtë hapësirë po vazhdojnë të jenë atraktive për hulumtuesit kosovarë të Institutit Arkeologjik të Kosovës, po ashtu edhe për arkeologët nga Instituti Arkeologjik i Frankfurtit.

Ky institut është duke e bërë edhe matjet gjeofizike dhe gjeomagnetike ku do të qartësohet në tërësi territori dhe kufijtë e brendshëm dhe të jashtëm të Ulpianës.

Ndërsa në anën tjetër po vazhdon puna e kapit multietnik të arkeologëve të rinj. Një ndihmë të madhe ka dhënë edhe OSCE.

“Përveç këtyre është një grup i madh i arkeologëve shqiptarë nga Kosova dhe studentë të arkeologjisë nga Kosova që studiojnë në shtetet jashtë Kosovës. Janë bërë shumë gjetje por kemi hapur edhe hapësira të reja”, tregon arkeologu Kemajl Luci.

Si pjesë e hulumtimeve do të marrin pjesë edhe studentë nga Polonia, Gjermania, Çekia, Kroacia.

Për shumë vite territori i qytetit të vjetër të Ulpianës ka qenë i pothuajse i pa mbrojtur për disa muaj.

Ndërsa tashmë hapësira do të pajiset edhe me dy kontejnerë po ashtu edhe me një shtëpi druri.

“KFOR do ti sjell si donacion dy kontejnerë të mëdhenj ku do të vendosen në Ulpianë. Këto kontejnerë do të na shërbejnë si magazina dhe depo për materialet arkeologjike”, thotë Luci për Express.

Por ndihma dhe interesimi për këtë pjesë nuk ndalet këtu. Ambasada Holandeze në Kosovë pritet ta jap si donacion edhe një shtëpie të vogël prej 25 metrave katrorë.

Sipas Lucit kjo shtëpi do të jetë në të mirë të arkitektëve, hulumtues, konservator të cilët do të punojnë në qytetin e Ulpianës.

“Besoi se kjo shtëpi do ti përmbush ato nevojat për të tashmen dhe të ardhmen. Ulpiana po e merr një fizionomi të një lokaliteti arkeologjik të rëndësishëm”, tha Kemajl Luci. Muajve në vazhdim e gjithë puna e bërë për disa vite do të shkoj në duart e konservuesëve.

Njëri prej problemeve më të mëdha mbetet toka private në të cilën shtrihet ky qytet antik. Territori i Ulpianës konsiderohet se kap një hapësirë prej afro 70 hektarëve ndërsa pjesa më e madhe e kësaj hapësirë është pronë private ku nuk mund të zhvillohen hulumtimet. Institucionet e Kulturës kanë bërë pak që kjo tokë të blihet.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›