Filatelistët shqiptarë në ekspozitën ndërkombëtare
Nga data 10, deri më 16 prill 2009, në qytetin Luoyang të provincës Henan në Kinë u hap Ekspozita Ndërkombëtare e Filatelisë, që përbën veprimtarinë më të rëndësishme për vitin 2009 të FIP-as (Federata Botërore e Filatelisë). Në këtë veprimtari morën pjesë përfaqësues nga 82 shtete, midis tyre edhe nga Shqipëria. Aktiviteti kishte 12 klasa të ndryshme të pjesëmarrjes, si për shembull: histori postare, filateli tradicionale, karta maksimum, karta postare etj. Ceremonia e hapjes u organizua në stadiumin e qytetit, me pjesëmarrjen e udhëheqësve të shtetit kinez, Federatës Ndërkombëtare të Filatelisë, përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse, si dhe të 40 mijë spektatorëve të cilët ndoqën këtë ceremoni dhe shfaqjen e bukur që kishin organizuar me këtë rast. Vendi ynë u përfaqësua me z. Bajram Peçi, "Filatelia Shqiptare në vitet 1913-1953", në klasën e Filatelisë Tradicionale me pesë stenda. U vlerësua me 65 pikë dhe fitoi Medaljen Argjend-Bronz. Z. Nikolla Xharo, me tematikën "Kozmonautë të shquar rusë", në klasën e Maksimofilisë me pesë stenda, u vlerësua me 68 pikë, duke fituar Medaljen Argjend-Bronz. Z. Muharem Gimjani, me tematikën "Pullat turke në Filatelinë Shqiptare", në klasën e Historisë Postare me një stendë, u vlerësua me 63 pikë dhe fitoi Medaljen Bronz. Rezultatet e arritura janë një sukses edhe për federatën tonë. Por, krahas këtij suksesi, u nxorën edhe konkluzione për të përmirësuar akoma më shumë koleksionet në të ardhmen. Së shpejti, në fund të muajit maj, koleksionistët tanë të pullës postare do të paraqiten dhe konkurrojnë në Ekspozitën Evropiane të Filatelisë, që zhvillohet në Sofje të Bullgarisë.