Don Lush Gjergji Nene Tereza mbeti me mendje nga Shqiperia
“Nëna e Bamirësisë”, shkruar prej Don Lush Gjergjit u prezantua në hollin e Kryeministrisë në praninë e autoriteteve fetare, artistëve dhe dashamirësve të veprës së saj. Libri, i gjashtëmbëdhjeti i shkruar nga Don Lush Gjergji për jetën dhe veprën e Nënë Terezës, është një biografi e detajuar e bamirëses shqiptare
“Më pëlqen kjo tavolinë që ka trajtën dhe formën e sofrës së rrumbullakët, sepse Nënë Tereza ishte dhe mbetet një sofër e madhe në radhë të parë për popullin shqiptar, por e shtruar jo vetëm për shqiptarët, por për botën mbarë”. Don Lush Gjergji, njeriu që i ka qëndruar pranë Nënë Terezës për vite të tëra, zgjodhi këto fjalë në hyrje të fjalës së tij për promovimin e librit të ilustruar “Nëna e Bamirësisë”, shkruar prej tij. Ky botim, i shkruar i gjithi në anglisht, u prezantua në hollin e Kryeministrisë në praninë e autoriteteve fetare, artistëve dhe dashamirësve të veprës së saj. Libri, i gjashtëmbëdhjeti i shkruar nga Don Lush Gjergji për jetën dhe veprën e Nënë Terezës, është një biografi e detajuar e bamirëses shqiptare. Nis me prejardhjen e familjes Bojaxhiu, me fëmijërinë në Shkup, jetën në Zagreb e në Dublin e në fund me misionin historik në Indi. “Nënë Tereza i gjente njerëzit në rrugët e Kalkutës dhe më vonë të botës mbarë dhe thoshte: nëse kanë jetuar, të paktën të kalojnë në amshim me dinjitet. Unë pata fatin ta takoja për herë të parë që më 1965 në Romë dhe që atëherë nuk pata mundësi të ndahesha më prej saj, sepse nëna e ëndrrave të mia, dalëngadalë do të shndërrohet e do të bëhet nëna e popullit shqiptar dhe nëna e botës mbarë”, ka thënë në fjalën e tij Don Lush Gjergji. Kjo ceremoni shënoi edhe fundin e aktiviteteve të mbajtura për nder të 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. Duke iu referuar botimit të fundit, Kryeministri Sali Berisha tha se “Nënë Tereza i dha nder familjes e kombit të vet, por mbi të gjitha nderoi sa askush tjetër, njeriun dhe vlerat e tij shpirtërore”. Kryeministri nuk harroi të theksojë se libri do të botohet në 5 milionë kopje për t’u shpërndarë në të gjithë botën. Don Lush Gjergji në ato pak minuta të promovimit ka kujtuar pak detaje nga takimi i tij me bamirësen. “Prej takimit të parë e deri në takimin e fundit ajo në mendje e në zemër kishte popullin shqiptar, Shqipërinë tonë, Kosovën dhe kudo ku jetojnë shqiptarët. Sa më tepër që plakej, aq më tepër përmallohej. U thoshte motrave: kur të shkoj në Shqipëri, mos më pyesni kur të kthehem. Në vitin 1989 kur e vizitova për 10 ditë në Kalkutë, ndër pyetjet e para që më bëri ishte: a ma solle fjalorin anglisht-shqip dhe gramatikën që të mësoj gjuhën si tërë populli shqiptar. Më thoshte fol shqip, sepse kuptonte mirë, shkruante rrjedhshëm, por ndërprerja 50-vjeçare e komunikimit krijonte aty këtu ndonjë boshllëk. Unë i thashë: ti nuk ke nevojë ta mësosh gjuhën letrare shqipe, sepse ti flet gjuhën e dashurisë që e kupton bota mbarë. I rrodhën dy lot gëzimi”, kujton Don Lush Gjergji. Nga ana e tij, drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë dhe Publikun në MTKRS, Enver Bytyçi, duke përshkruar librin tha se Don Lush Gjergji jep përshtypjet e tij, të cilat janë unikale në përshkrimin e veprimtarisë së bashkatdhetares, duke e plotësuar portretin e Nënë Terezës si askush tjetër me përmasat reale të saj. Në përfundim të fjalës, përmes fjalëve të Nënë Terezës, Don Lush Gjergji kujtoi se njeriu ka dy duar: një për zotin dhe një për njerëzimin.