E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zemra thote Vllazni Lika joshet nga Tirana

Bardheblutë kanë gati një superofertë, mesfushori pret lajme edhe jashtë Shqipërisë

Tirana dhe Vllaznia rinisin luftën për Gilman Likën. Pas armëpushimit të vendosur menjëherë pas merkatos gjatë verës, dy skuadrat legjendare të Kategorisë Superiore kanë shfaqur sërish interes për shërbimet e mesfushorit të Kombëtares. Afro gjashtë muaj më parë, mes dy skuadrave që konkurronin, fitoi një e tretë: Diarbakirspori. Por, klubi turk është në një krizë të vërtetë financiare dhe 23-vjeçari pret që gjatë janarit të gjejë një tjetër ekip për të vazhduar karrierën. Ofertat nga skuadrat e huaja nuk mungojnë, por nëse do të vendosë të luajë në Shqipëri, Lika do të zgjedhë ndërmjet Vllaznisë dhe Tiranës. Shkodranët janë skuadra ku është formuar dhe bërë i njohur. Presidenti Fushaj vazhdon ta cilësojë një prej objektivave të rëndësishëm për të përforcuar kontingjentin. Gjithsesi, drejtuesi më i lartë i kuqebluve ende nuk është paraqitur me një ofertë konkrete. Sido që të jetë, Vllaznia do të mbetej një zgjedhje e zemrës për majtoshin. Por, çështja komplikohet nga Tirana: bardheblutë vazhdojnë ta kërkojnë me ngulm lojtarin kuqezi. Madje, për të presidenti Refik Halili ka përgatitur një superofertë, e cila do të ishte e vështirë për t’u refuzuar. 24-herë kampionët kanë vënë në lëvizje të gjitha lidhjet e mundshme, për të shfrytëzuar çdo shans minimal që mund të paraqitet. Përveç joshjes me një kontratë të majme, në lojë duket se janë futur edhe vetë futbollistët, ku është një tjetër element i përfaqësueses, Andi Lila, ai që po shërben si ndërmjetës.

Për situatën në të cilën ndodhet, vetë Lika është shprehur: “Aktualisht vazhdoj të jem nën kontratë me Diarbakirsporin. E ardhmja ime do të vendoset në fillim të janarit, pasi më parë duhet të zgjidh disa probleme me klubin turk”. Bëhet fjalë për vonesat në shlyerjen e detyrimeve financiare. Talenti shqiptar nuk paguhet prej tre muajsh dhe çështja ka kaluar në gjykatë. “Klubi nuk ka paguar pjesën më të madhe të lojtarëve. Personalisht i jam drejtuar gjykatës dhe problemi im do të zgjidhet në fillim të janarit. Nëse Diarbakirspori nuk do të më paguajë, atëherë jam automatikisht lojtar i lirë dhe mund të zgjedh destinacionin që preferoj. Nëse bëhet shlyerja, atëherë do të mbyll sezonin te turqit. Tirana dhe Vllaznia kanë shfaqur interes për shërbimet e mia, por natyrisht që alternativa mbeten edhe skuadra të huaja”.

Gjatë këtyre javëve të fundit, Gilman Lika ka munguar në fushat e lojës, për shkak një dëmtimi të dyfishtë në kavilje. “Në këto dy-tre muajt e fundit nuk jam aktivizuar për shkak dëmtimi. Brenda një kohe shumë të shkurtër u lëndova dy herë në kavilje. Fillimisht ky problem nuk më lejoi të isha në dispozicion të trajnerit Josip Kuzhe për miqësoren me Maqedoninë, ndërsa dëmtimi u përsërit, nënvijëzoi mesfushori. Ishte e pamundur që të luaja, pasi nevojitej kohë për rikuperimin e plotë. Tashmë kam më tepër se dy javë që po stërvitem normalisht dhe pres të jem në gjendje optimale sapo të nisë Viti i Ri”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›