Administratorja fundos Madanin

TIRANË - Dëshmia e 25-vjeçares Aurela Çota përforcon akuzën e prokurorisë ndaj ish-drejtorit të Menaxhimit të Instalimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, Shkëlzen Madani, i cili do të hetohet në masën e sigurisë “arrest me burg”. Të njëjtën masë gjykata dha edhe për administratorin e shoqërinë “Geoconsult”, Ferdinant Hodo dhe kolonelin Kadri Suli, të cilët akuzohen për korrupsion aktiv, korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre. Ndërsa për përfaqësuesen e kompanisë “Nitromak Albania” ishte vetë prokurori që kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”, pasi Aurela Çota dy ditë më parë vendosi të rrëfejë gjithçka që dinte për aferën me lejet e menaxhimit të materialeve ushtarake për përdorim civil. Në seancën për vlerësimin e masës së sigurisë, e vetmja deklaratë e 25-vjeçares ishte se “i qëndroj gjithçkaje që kam thënë në prokurori”, duke mos dhënë asnjë detaj tjetër nga dëshmia e saj për shkak të sekretit hetimor. Burime të rezervuara bëjnë me dije se 25-vjeçarja ka rrëfyer gjithë episodet e aferave me Shkëlzen Madanin, ku ajo vetë ka qenë e pranishme. Aurela ka treguar me detaje të gjitha bisedat me ish-drejtorin, i cili mbante edhe detyrën e kreut të komisionit për dhënien e lejeve të menaxhimit të materialeve ushtarake për përdorim civil. Pak a shumë, e njëjta dëshmi që ka dhënë përfaqësuesja e “Nitromak Albania”, ka dalë edhe nga përgjimet gati 6-mujore që prokuroria i ka bërë Shkëlzen Madanit, lidhur me aferën e dyshuara.
Ish-drejtori
Prokuroria dyshon se Shkëlzen Madani ka përfituar në mënyrë të vazhdueshme të holla, duke favorizuar shoqërinë “Geoconsult”, me administrator Ferdinant Hodon. Përtej përfitimeve financiare, nga hetimi kanë dalë të dhëna që nxisin dyshimin se Madani mund të jetë bërë aksioner në këtë shoqëri, gjë e cila sipas prokurorisë, dyshohet se ka ndodhur pas shkëputjes së kontratave me kompaninë “Nitromak Albania”. Praktikat e ndjekura nga komisioni, ku Madani ishte kryetar, janë cilësuar si jo të rregullta nga pikëpamja ligjore, pasi gjatë periudhës janar-prill, përfituesi i këtyre lejeve ishte Ferdinant Hodo, përfaqësuesi i shoqërisë “Geoconsult”. Një fakt i tillë është evidentuar nga organet hetimore, pasi ky subjekt po përfitonte të gjitha lejet, ndërkohë që për një periudhë të gjatë kohore përfituese ka qenë kompania “Nitromak Albania”, me përfaqësuese Aurela Çotën. Pikërisht kjo shkëputje e menjëhershme nga “Nitromak” dhe lidhja e fuqishme me “Geoconsult”, duke i dhënë edhe monopolin e tregtimit të lëndëve plasëse për përdorim civil, nxiti prokurorinë të përqendrojë vëmendjen mbi lidhjen reale që Shkëlzen Madani kishte me këtë shoqëri. Nga të dhënat e administruara deri tani, ka dyshime se ish-zyrtari i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes mund të ketë një pjesë të aksioneve në shoqërinë “Geoconsult”. Një dyshim i tillë sipas prokurorisë, deri tani mbështetet në përgjimet që janë kryer përgjatë periudhës hetimore.
Koloneli
Burime nga Prokuroria e Tiranës bëjnë me dije se ish-komandanti i shkarkuar me urdhër të Oketës është implikuar në të paktën një aferë korruptive, që ka të bëjë me administrimin e objekteve ushtarake. Bëhet fjalë për disa ambiente në depon e Borizanit, të cilat ishin dhënë me qira për përdorim civil. Sipas prokurorisë, Kadri Suli ka bërë ripërtëritjen e kontratës së përfunduar, duke përfituar shumën e 2000 eurove nga një subjekt civil, i cili ishte i interesuar për përdorimin e ambienteve ushtarake. Një fakt i tillë është provuar tashmë nga provat që disponon organi i akuzës, nga i cili mësohet se ish-komandanti është filmuar në momentin e marrjes së parave.