E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvendosja: Na vodhën votat. Shpërndahen dëshmitë filmike

Një ditë pas shpalljes së rezultateve paraprake Lëvizja Vetëvendosje u ka shpërndarë mediave një video tjetër amatore ku pretendohet se janë vjedhur votat në Drenas. Në këto xhirime duket  plotësimi i fletëvotimeve në një zyrë, ku personat deri më tani të panjohur votojnë për PDK-në dhe kandidatët e saj. Sipas drejtuesve të kësaj lëvizjeje, xhirimi është siguruar nga një person që për shkaqe sigurie nuk ka pranuar të identifikohet por vetëm ka dashur ta shpërndaj videon përmes Vetëvendosjes.

Në zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka fituar Partia Demokratike e kryeministrit Hashim Thaçi. Sipas rezultateve paraprake, të deklaruara  nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, PDK-ja ka fituar 33.5 për qind të votave. E dyta radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës me 23.6 për qind. Në parlament janë futur edhe tre subjekte të tjera politike. Lëvizja Vetvendosja, e cila për herë të parë garoi në zgjedhjet parlamentare, ka fituar 12.2 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 10.8 dhe Aleanca Kosova e Re e biznesmenit Behxhet Pacolli ka fituar 7.1 për qind të votave. Në zgjedhje kanë marrë pjesë 47.5 për qind e qytetarëve.

Mundësia që rezultatet përfundimtare të ndryshojnë pas numërimit të votave të mbetura është shumë e vogël. Në parlamentin me 120 deputetë nga 10 vende kanë të garantuara minoriteti serb dhe përfaqësuesit e minoriteteve tjera. Për shkak të ankesave për parregullësi, presidenti në detyrë Jakup Krasniqi i ka kërkuar  KQZ-së që të kryejë detyrën e vet me profesionalizëm të lartë.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›