Dopingu, Erkand Qerimajt i hiqet titulli Kampion Europe dhe pezullohet 4 vjet
Sporti shqiptar ka marrë një goditje të rëndë, pasi peshëngritësi Erkand Qerimaj, që një muaj më parë u shpall Kampion Europe, është pezulluar për katër vjet nga aktivitetet sportive.
Qerimaj doli pozitiv pas një testi dhe për këtë arsye Federata Botërore e Peshëngritjes vendosi ta pezullojë atë deri në vitin 2016 dhe gjithashtu ti heqë titullin Kampion Europe që mori në Turqi rreth një muaj më parë.
Federata Botërore e Peshëngritjes njoftoi se pas testeve të bëra në urinën e Qerimajt u gjetu një substancë e familjes “Metyl hexanamine” e përfshirë në listën e të ndaluarave që nga viti 2011.
Qerimaj, shpresa më e madhe e sportit shqiptar për në Olimpiadën e Londrës, tashmë nuk do të ketë mundësinë që të marrë pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm.