E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dopingu trondit mitin e shtangës Kasaj

- Dy vjet pezullim për përdorim të substancave të ndaluara, dhe nëse Kasaj nuk kërkon të kryejë analizimin e mostrës "B" , do t'i duhet të dorëzojë edhe dy medaljet e argjendta. Ky është vendimi i Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes pas raportit të kontrollit antidoping të peshëngritës më të njohur shqiptare, Fetie Kasaj. Dita e djeshme ka qenë shumë intensive për peshëngritjen shqiptare. Gazetarë të shtypit të shkruar dhe reporterë të televizioneve më të mëdha kanë rendur sa te trajneri i Kasaj, Faruk Kalleshi, te zyrtari i lartë i FSHP-së, Ilir Kraja, një konferencë rrufe e ministrit të MTKRS-së, Ylli Pango dhe së fundi për të kërkuar një prononcim te vetë e dëmtuara Kasaj. Argumenta mbrojtës, shfajësime, akuza në drejtimi të krerëve të Federatës së Peshëngritjes, por dhe deklarime pasionante për të mbrojtur sportisten më te madhe, por dhe fakte kokëfortë të shkruara si e zeza mbi të bardhë në raportin e dërguar nga Filip Sent Syr, kryetar i Komisonit të Kontrollit Antidoping.
"Isha sëmurë"
"Të them të drejtën kam qenë e sëmurë, i kam thënë presidentit të federatës, Esat Ademit, që s'vete në Evropian se jam sëmurë. Unë i kisha bërë të ditur para kampionatit presidentit të federatës Esat Ademi se kisha probleme shëndetësore dhe kam pirë substancë për arsye shëndetesore. Në datën 7 prill, madje bëra edhe analizat, por presidenti më tha se nuk do të kisha probleme. Megjithatë unë kisha lajmëruar për problemet e mia shëndetësore për cka edhe kisha përdorur substanca, e megjithëse nuk doja të merrja pjesë në evropian pikërisht për këtë arsye, zoti Ademi më tha se duhej të shkoja pasi nuk do të kisha probleme", thotë Kasaj për gazetën "Albania", teksa tregon edhe përgjigjet e analizave mjekësore të bëra nga ajo në një klinike private, emrin e të cilës ajo nuk e mbante mend.
"Jo baltë"
"Nuk duhet hedhur baltë mbi një sportiste që rallë mund të vijë Shqipërisë. Kjo është më shumë pasojë e një pakujdesie, se sa e një veprimi të kryer me ndërgjegje", thotë për gazetën "Albania", Faruk Kalleshi, trajneri i peshëngritëses Fetie Kasaj. Trajneri i njohur kërkon të hedhë dritë mbi skandalin më të madh që ka tronditur peshëngritjen shqiptare, qysh prej ndëshkimit të përjetshëm të ish-peshëngritësit Ilir Kafaranit, por dhe të mbrojë me të gjitha mënyrat sportisten e tij. "Ne shpesh shkojmë pa mjek në aktivitete dhe në Francë, shkuam me mjekun e futbollit dhe jo me një mjek që e njeh peshëngritjen", ankohet Kalleshi, një ish-sportist i elitës së peshëngritjes, i cili ka vite që ushtron profesionin e trajnerit.
"Gjithmonë e pastër"
"Unë i kam kërkuar Feties të kryenim edhe një analizë në Greqi, përpara se të merrnim vendimin përfundimtar në Europian, për të cilin përgatiteshim për rreth katër muaj. Mund të ketë rezultuar një gjë shumë e vogël, por Agjencia Botërore e Luftës kundër Dopingut "ËADA dhe Federata Botërore e Peshëngritjes, nuk të falin në këto raste ", shton trajneri i njohur, pa daljes pozitive të njërës prej ikonave të peshëngritjes shqiptare. "Rezultatet e Kasaj kanë qenë gjithmonë në ngritje. Europianin e kaluar ajo arriti të ngrejë 131 kg në shkëputje dhe ka dalë nga analizat antidoping e pastër. Në një moment të caktuar Fetija shfaqi probleme gjinekologjike për të cilën u vizitua në një klinikë private ku morri prej mjekut të asaj klinike edhe një kurë mjekësore", sqaron "Mjeshtri i Madh i Punës", Kalleshi që shton se ai kishte pasur dyshimet e tij.
Viktimë e Federatës?
"Doja të vërtetoja nëse ajo ishte e pastër apo jo e pastër dhe bëra të gjitha përpjekjet. Por në një Federatë pa mjek dhe pa kontrolle mjekësore për një sportiste cilësore si Fetie Kasaj mund të mund të biesh viktimë. U kërkova drejtuesve të federatës për të mos e cuar peshëngritësen në Europian me qëllim që ta ruanim këtë sportiste cilësore, pasi kishte përdorur disa medikamente me këshillën e mjekut. Në kontrollet antidoping edhe një aspirinë po të pish dhe neglizhon për deklarimin e saj ndëshkohesh", sjell disa argumenta mbrojtëse Kalleshi. Por, sekretari i Federatës së Peshëngritjes, Kraja e hedh poshtë këtë pretendim. "Nuk disponojmë asnjë dokument që sportistja ka përdorur medikamente. Nëse do të ishte dicka e tillë dhe ne do ta kishim ndaluar dhe nuk do ta lejonim që të shkonte në Kampionatin Europian
"Jam trajner, jo mjek"
E vërteta është se substanca e përdorur nga Kasaj, stanozolol është një produkt sintetik dhe jo një medikament (ilac). Stanozolol, është substanca që ndëshkoi përjetësisht një tjetër peshëngritës të madh shqiptar, Ilir Kafaranin. Stanazololi përfshihet në listën e substancave të ndaluara me Kodin Botëror, dhe ndalohet të përdoret brenda dhe jashtë garës, dhe efekti i i tij shtrihet në rritjen e volumit të muskujve dhe energjinë e trupit. "Unë jam trajner dhe jo mjek. Unë njoh vetëm sferën e stërvitjes dhe jo atë të mjekësisë", u përpoq të argumentonte Kalleshi per gazetarët. "Unë jam 62 vjec dhe mund të them edhe tjetrën se nuk e di se përse shërben aspirina".
"Plani" Kalleshi
Kalleshi ka një plan "shpëtimi" për peshëngritësen e tij, ku dhe beson se mund të realizohet: "Pas pak kohësh ne do t'i bëjmë një kërkesë Federatës për ulje të vendimit të pezullimit". Përfitimi maksimal do të ishte një periudhë 12 mujore, cka do të thoshte se Fetie Kasaj mund të shpresonte për pjesëmarrjen e saj në Olimpiadën e Pekinit të vitit 2008. Kalleshi beson në dashamirësinë e Federatës Botërore të Peshëngritjes: "Kasaj është një sportiste cilësore dhe elitare në rang ndërkombëtar, dhe ndoshta mund të përfitojë nga ndonjë ndryshim i pritshëm i masës së dënimit".
--------------------
Mjeku: "Dopingun nuk e fal askush"
I kundërt ka qenë argumenti i mjeku i njohur Mel Ostreni, ish-kryetar i Komisionit Mjekësor pranë Federatës së Peshëngritjes, i cili ka dhënë dorëheqjen përpara zhvillimit të Kampionatit Europian të zhvilluar në Strasburg të Francës, për neglizhim të përhershëm të kërkesave të tij. "Stanozolol është substancë anabolike e hormoneve mashkullore, një substancë sintetike që prodhohet në mënyrë farmaceutike me metoda kimike dhe nxit rritjen e rezultateve artificialisht. Kjo është e dënueshme si nga Agjencia Botërore e Luftës kundër Dopingut "ËADA". Këto substanca mund të merren nga goja apo dhe me injeksion intramuskular", thotë Ostreni.

Trajneri: "Analiza "B", humbje parash"
Për të mbrojtur nderin e saj, por dhe dy medaljet argjendta të fituara në Kampionatin Europian dhe për t'i shpëtuar pezullimit 2-vjecar, peshëngritësja shqiptare duhet të kryejë analizimin e mostrës "B". Përgjigjja duhet të jetë brenda 19 majit. "Për ne është njëlloj si ajo "A", pasi është e njëjta mostër urine, por e ndarë në dy pjesë", thotë Kalleshi. "Ajo thjesht do të ishte një humbje e një shumë të madhe parash, pasi të gjitha shpenzimet do të mbuloheshin nga sportistja". Por, vendimi i Federatës Ndërkombëtare i Peshëngritjes (FNP) është i prerë dhe i qartë. Në rast se deri më këtë datë FNP nuk merr kërkesë me shkrim do të konsiderohet se atleti pranon masën e dhënë.
Kasaj, përgjegjëse
"Ne si federatë do të mblidhemi urgjentisht sot për të analizuar gjithë situatën. Do të thirren sportistja Kasaj dhe trajneri i saj, Kalleshi. Do të ndërmerren të gjitha rrugët ligjore për të gjetur edhe një zgjidhje të problemit. Të gjithë shprehim keqardhjen, pasi Fetia është një nga sportistet më të mira që ka Shqipëria, por përgjegjësia është e saj dhe trajnerit" – sqaron Kraja.
Analiza, e kotë
Sekretari tregon se analiza B nuk kushton shumë, vetëm 1000 dollarë amerikanë. "Nuk është problemi te paratë, - tha Sekretari i Përgjithshëm i FSHP-së, Kraja, - problemi është se ajo analizë duket e kotë, pasi laboratori i Këlnit nuk besoj se ka gabuar. Ata janë gjermanë dhe si provë do bëhet po ajo urinë që është përdorur herën e parë, vecse është ndarë në dy epruveta".
Shpresa për ulje
"Unë do t'i këshilloja Fetijen dhe trajnerin Kalleshin, që të argumentojnë me shkrim se kjo gjë ka ndodhur pa e ditur ata, se në Shqipëri nuk ka laboratore të specializuara, ndaj edhe mund të jetë bërë ndonjë gabim. Në këtë mënyrë shpresojmë të sigurohet ndonjë ulje para Olimpiadës "Pekin 2008, edhe pse, unë e konsideroj shumë të vështirë", - thotë sekretari Kraja
-------------------

Kush e ka fajin?
"Për mua, fajin nuk e ka Kasaj, por dikush tjetër. Atë ta gjejë federata", tha për "Albania"-n, trajneri Hektor Shaqiri, i cili stërvit, Romela Begajn. "Kasaj është një vajzë e talentuar"
Vetëm Fetia
"Nga pesë sportistët shqiptarë që kryen analizat antidoping Fetie Kasaj, Romela Begaj, Erkand Qerimaj, Endri Haxhihyseni dhe Isa Bala, vetëm Kasaj rezultoi pozitive", tha Kraja.
Asnjë dyshim
Përgjigjia e laboratori i Këlnit në Gjermani nuk mund të vihet aspak në dyshim. Nga ky laborator erdhi dhe raporti që ndëshkoi përjetësisht pëeshëngritësin shqiptar Ilir Tafarami
Seancë dëgjimore
Kontrolli Antidoping të jep edhe mundësinë e një prove të dytë si dhe të një seance dëgjimore në Federatën Botërore të Peshëngritjes, ku mund të paraqiten arsyet e marrjes së substancës.

Precedenti: Tafarami, pezullim përjetë
Ilir Tafarami, i njohur ndryshe si Ilir Kafarani, është pezulluar për gjithë jetën nga peshëngritja, për shkak të përdorimit të dopingut. Kafarani doli tri herë pozitiv për doping. Sipas Federatës Botërore të Peshëngritjes, Tafarami (Kafarani) është kapur me doping në kampionatin europian, për përdorim stanozololi. Gjithashtu, FSHP është dënuar me 10.000 dollarë gjobë për shkak të pranimit të ndërrimit të mbiemrit nga sportisti në fjalë. Vlen të theksohet se Kafarani e ka për herë të dytë që ndërron mbiemër, pasi më parë e ka ndryshuar mbiemrin nga Kafaraj në Kafarani, ndërsa tani në Tafarami.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›