Tirana “puth” titullin 23

Igli Hysenaj
- Hetlem Capja, i ka dhuruar titullin e 23-të kampion ekipit të Tiranës. Dy javë përpara përfundimit të kampiontatit shqiptar të futbollit, "bardheblutë" janë shpallur zyrtarisht kampionë të Shqipërisë për sezonin 2006-2007. Ka qenë minuta e 66' më e rëndësishmja e ndeshjes. Elbasanasi i Tiranës ka shënuar golin e fitores, golin që solli festën e gëzimit në kampin "bardheblu". Kështu Tirana ka marrë një fitore të dyfishtë në ndeshjen e djeshme, atë në derbin e 129 me skuadrën e Partizanit dhe titullin kampion. Ndeshja ka qenë me shumë emocione. Skuadrat janë përpjekur që të shënojnë, por nga ana tjetër mbroheshin mirë duke mos i lejuar vetes gabime. "Bardheblutë" kanë përfituar edhe nga superioriteti numerik për të arritur fitoren. Kështu, në minutën e 60 kapiteni i "të kuqve" Beqiri, largohet me karton të kuq nga fusha e lojës. Kjo i ka dhënë mundësi skuadrës së Tiranës që të shfaqet më rrezikshëm. Vetëm 6 minuta më vonë vjen edhe goli i fitores, që e kurorëzoi Tiranën kampione të Shqipërisë.