E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dora d’Istria dhe bota perse e orientale

12/02/2009  Në veprën e gjerë studimore të shqiptaro-rumunes Dora d’Istria, të kësaj erudite dhe intelektuale me përmasa evropiane, kombi iranian zë një vend të rëndësishëm. Bota perse vjen nën penën e saj me një rezonancë të fuqishme sa drejt gadishullit indian e Azisë qendrore, aq edhe drejt Lindjes së Mesme, Azisë së Vogël, botës arabe e më tej drejt Evropës. Këtë botë perse, ajo e sheh në disa rrafshe, historik, etnik, kulturor e shoqëror, kryesisht nëpërmjet esesë “Poezia e persëve gjatë dinastisë së Khaxharëve”, një panoramë kjo e përgjithshme që nga kohët më të lashta për perandorinë e “mbretit të mbretërve”. Nga ana tjetër, këtë botë perse ajo e sheh edhe më gjerë, duke pasqyruar krejt familjen e popujve me gjuhë iraniane të Kaukazit e Turkestanit (kurdët, gjeorgjianët, armenasit, osetët, afganët, etj, që ajo i quan konkretisht “iranianë”), si dhe duke nxjerrë në pah trashëgiminë e tyre të përbashkët historiko-kulturore.

Është e njohur që shekulli XIX, shekulli i zbulimeve të mëdha në fushën e parahistorisë, sundohej nga teoria e racave dhe Dora d’Istria, duke shkuar gjer në lashtësinë e hershme të Iranit, sheh në të dy elementë thelbësorë: elementin arian dhe elementin turanian që kanë bashkëjetuar mbi tokën perse. Nga ana tjetër, ajo nuk mungon të vërë në dukje karakterin dramatik të historisë iraniane. Kështu, sipas saj, tek farsitë apo faristanët (bakhtiarët, lurët, kurdët), dyndjet semitike do të ishin të tilla që detyrimisht do të ndikonin në përzierjen e gjakut arian. E megjithatë, tek elementët e fuqishëm etnikë që përbëjnë vetë kombin iranian, ajo sheh unitet ndjenjash, bukuri fizike të përbashkët, forcë trupore, përbuzje ndaj rrezikut, një mishërim në shkallë të lartë të tipareve kryesore të aziatikëve. Një ide e tillë kristalizohet më së miri tek figura komplekse, historike, luftarake dhe kulturore e Nadir shahut, Aleksandrit të Madh të Iranit, për të cilin ajo nuk e kursen penën admiruese të saj.

Elena Gjika, alias Dora d’Istria, i sheh kështu persianët si një racë luftarake me tradita të pasura, që nga koha e uksienëve, të cilët Aleksandri i Maqedonisë i hasi në Persi, krahas mesabatëve dhe kosenëve të Herodotit, që “përngjajnë aq shumë, siç thotë ajo, me khaxharët e sotëm”. Pa iu shmangur një përshkrimi të hollësishëm të gjendjes së vështirë ekonomiko-shoqërore të Persisë së shekullit XIX, ajo shpesh i referohet së shkuarës së lavdishme perse, kulturës së saj, personaliteteve të shquara që lartuan emrin e saj në botë, si Firduzi, “personifikimi i vetë gjenisë kombëtare perse”. Për të, “Persia e lindur nën shatorre, i qëndron besnike prirjeve të stërgjyshërve të saj... Ne, vijon ajo, që i trajtojmë sot persianët si barbarë, ne visheshim si të egër në kohën kur venedikasit sollën në Evropë prodhimet e shkëlqyeshme të fabrikave perse”. Por mbi gjithçka, ajo vlerëson shpirtin artistik të popullit iranian, zhvilluar në shkallën më të lartë, monumentet e Persepolisit, Ispahanin arkitektural me mrekullia, sidomos gjatë mbretërimit të Sefeviehëve. Ajo, më se njëherë do shpallë me forcë se Persia është prodhuesja e mendjeve të ndritura të rangut të parë dhe se populli persian është popull i lëçitur, që njeh më së miri poetët e vet të shumtë, me në krye gjeniun Saadi.

Nga ana tjetër, përballë tërë kësaj lavdie të shkuar, Dora d’Istria nuk do mungojë të renditë shkaqet që kanë frenuar progresin e shoqërisë iraniane për një periudhë të gjatë, sidomos rrethanat historike, qeverisjet e këqija dhe një numër plagësh shoqërore që brejnë nga brenda vetë shoqërinë iraniane. Kështu, me dëshpërim, ajo do vërë në dukje se për fat të keq popullit persian i mungon një udhëheqës i madh, si Nadir Shahu, të cilin ajo e krahason me dinastinë e Qypryllinjëve, me ata “bij të Shqipërisë së pamposhtur”, siç shprehet ajo. Dhe thirrja e fuqishme nga shpirti i saj për popullin pers është që ai “të zgjohet sa më parë, të marshojë përpara, të përparojë në ide”, se vetëm këtu ajo sheh forcën e gjallë të një populli të tërë. Tek konsideron Nadir Shahun Napolon të Persisë, ajo nuk do mungojë të ngrejë lart edhe virtytet e Kerim khanit si prijës i vërtetë i perandorisë, sepse pikërisht gjatë mbretërimit të tij në shekullin XVIII lulëzoi tregtia, bujqësia dhe krejt jeta intelektuale. Veç kësaj, thekson autorja, ai ngriti në piedestal të kryeqytetit të tij Shiraz të famshmin Hafiz, Homerin pers. Me këtë rast, energjinë e sovranit Kerim khanit nga dinastia e zendëve, ajo e krahason me vitalitetin e shqiptarit Mehmet Aliu që diti, edhe ai nga ana e tij, të lartojë fronin e faraonëve gjatë shekullit XIX. Po ashtu, Dora d’Istria vlerëson edhe 30 vjetët e mbretërimit të Fetlli Aliut, kur populli iranian ishte i qetë dhe kur lulëzuan artet, letërsia dhe sigurisht poezia.

Në fakt, ashtu si në shkrime të tjera, edhe në esenë “Poezia e persëve nën mbretërimin e khaxharëve”, studiuesja e mirënjohur i referohet këngës popullore për të pasqyruar çaste tragjike të historisë, si për shembull vrasjen tradhtare të Lutfi Alit, veqilit 27-vjeçar me shpirt kalorësiak. Ajo demaskon kështu me forcë monarkitë absolute dhe çdo lloj despotizmi, si atë të Aga-Mohamedit, mbretit të egër eunuk, duke përfunduar se në fund të fundit, gjithë despotizmat janë të përngjashëm dhe mbështeten në terror autokratik. Veçse, thekson ajo, pikërisht “Nën monarkitë absolute, është muza popullore që më se një herë i zë vendin shtypit memec”.

Në krejt shkrimet e Dora d’Istrias plot dashuri e ngrohtësi për popullin pers, shfaqet dukshëm, mbi të gjitha, bukuria e poezisë historike perse si vetë bukuria e qilimave të famshëm pers, që sot e kësaj dite çudisin botën me fantazinë e tyre artistike. Pikërisht te kjo poezi sublime, ajo ngre lart rolin e gruas perse në shoqëri, jo vetëm për duart e shkathëta, por edhe për shpirtin e saj krijues prej artisti. Këtu ajo sheh, tek depërton thellë në zakonet dhe traditat e lashta perse, shpirtin e lirë dhe gjuhën po aq të lirshme poetike të gruas iraniane. Ajo mahnitet pas bukurisë së grave gojëmbla, që flasin “atë gjuhë më tërheqësja në botë, dhe ku askund nuk sheh dhëmbë e buzë aq të freskëta”, siç shprehet autorja. Madje para gruas iraniane gjithë nur, vetë figura e burrit shfaqet si “skllav i skllevërve”, siç do të shprehet i mahnitur Mirza Jan për gruan e tij. Vlen të theksojmë këtu se pikërisht fjala perse “perri” që ka hyrë në gjuhën shqipe, përcakton më së miri bukurinë e gruas në shkallën më të lartë, dhe që vetëm shtojzovallet e legjendave të moçme shqiptare mund të barazohen me to. Po ashtu, kur Dora d’Istria përmend shprehjen folklorike perse “Zonjë para botës” për të lartësuar figurën e gruas jo thjesht si “zonjë shtëpie”, përsëri neve nuk ka se si të mos na vijë në mend edhe shprehja shqipe “Zonjë e rëndë” për të treguar pikërisht personalitetin e fuqishëm të gruas shqiptare. Paralelizmi pra në të dy rastet është jo pa interes.

Është e njohur që Dora d’Istria në veprat e saj të shumta, i kushton një rëndësi të veçantë emancipimit të gruas. Këtë emancipim te gruaja perse, ajo e sheh të lulëzojë sidomos gjatë regjimit të basanidëve, kur ato mbajtën skeptrin e rëndë të “mbretit të mbretërve”. Megjithatë, edhe në këtë çështje, autorja nuk do harrojë kushtet sociale të gruas perse, martuar që herët, perçen, poligaminë, frymën mosbesuese dhe denigruese ndaj saj, si dhe do vlerësojë përpjekjet e Ali Mirza Mohamedit, të quajtur Bab, si përkrahës i rrymës franceze babiste, për çlirimin dhe emancipimin e gruas.

Me rëndësi po ashtu është edhe analiza që ajo i bën sektit të njohur të sufive, i cili ka shfrytëzuar më së miri pasionin e persëve për poezinë, si dhe talentin e poetëve për të përshtatur idetë e tyre duke popullarizuar doktrina që gati nuk përputhen me islamin semitik. Kështu ajo vë në dukje se në Persi nuk gjeje një mysliman të vërtetë në 20 vetë dhe se aty sufizmi kishte një terren të admirueshëm. Po ashtu, trajton turanianët që huazuan teologjinë e tyre nga raca semitike dhe ariane si dhe shiitët, cilësuar si heretikë nga Perandoria Osmane.

Nga ana tjetër, Persia është e njohur botërisht për mitologjinë e saj dhe në radhë të parë për seritë e përrallave “Njëmijë e një net” dhe “Njëmijë e një ditë”. Pikërisht këtë seri të fundit trajton Dora d’Istria, duke nxjerrë në pah popullaritetin e tyre dhe duke depërtuar gjer tek kulti i lashtë kombëtar i dritës dhe i së mirës, tek Ahura Mazda (Ormuzdi) i rrethuar nga jazatët apo hyjnitë e dorës së dytë. Në këto përralla, autorja sheh ndikimin indian dhe me këtë rast trajton lidhjet e ngushta tradicionale indo-perse, realizuar nëpërmjet udhëtimeve të shpeshta, ekspeditave të largëta dhe vetë dervishëve lëvizës, përcjellësit e historive mrekullore, miteve, përrallave, fabulave, etj.

Në rolin e historianes, Elena Gjikën e shohim në shkrimin “Turqia dhe Turkestani”, duke iu referuar mitologjisë dhe duke e parë Turin, njëri prej djemve të mbretit pers Feriduni, si themeluesin e Turanit apo Turkestanit (vendi i turqve), ku përfshihet gjeografikisht krejt territori i gjerë nga perandoria kineze në detin Kaspik. Në figurën e të tmerrshmit Afrasiabi, trashëgimtar i Turit dhe ngadhënjyes i Persisë, ajo vë në dukje lidhjen e dinastive turke, nëpërmjet Selxhukut, dinasti që mburren se kanë ndjekur në Persi veprën e stërgjyshërve të tyre. Por edhe këtu, duke folur për gjendjen e vështirë të aziatikëve të shekullit të saj, ajo shkon thellë në histori dhe shkruan me entuziazëm: “Kur evropianët ishin zhytur në terrin e Mesjetës dhe qenë skllevër të teokracisë, aziatikët shfaqeshin si të destinuar për të qenë trashëgimtarë të qytetërimit të lavdishëm greko-romak, aq shumë lindnin në masë mendjet e larta përkrah luftëtarëve të guximshëm. Në epokat më të errëta të historisë së kontinentit tonë, vijon ajo, oborri i shkëlqyer i kalifëve, i Al-Manzurëve, Harun al Rashidëve (shekulliVIII), i Al Mamunëve, i Motasemëve (shek. IX) ishte vendi i parapëlqyer i njerëzve të shquar të letrave e dijetarëve, dhe shkollat e famshme të Bagdadit, Basorasë, Kufës, Kordovës ishin drita mes zisë dhe dritë për vetë Evropën... Persia myslimane prodhonte tërë këta poetë”. Dhe me këtë rast, autorja jonë citon e vlerëson Firduzin, Nizamin, Saadin, Hafisin, Djamin, etj., dhe ndalet gjerësisht tek figura e Mir Ali Kiri dhe e Nevait apo Fenait (Fani) i persëve, për t’i trajtuar ata në krejt madhështinë e tyre dhe në rolin e madh që luajtën në të gjitha fushat e jetës.

Po ashtu, Dora d’Istria nuk do mungojë të trajtojë edhe dinastinë ghaznevide që themeloi në shekullin X një perandori të gjerë indo-perse, si dhe krejt familjen e gjuhës iraniane, duke u ndalur posaçërisht tek gjeorgjianët, armenët, kurdët, osetët etj., luftërat fetare, qëndresat, dramat historike, që kanë shoqëruar tërë këto vende të Kaukazit e Turkestanit.

Në përfundim, autorja do të vërë më së miri në dukje se Persia lavdiplotë dhe gjithë prestigj i është imponuar osmanëve me superioritetin e gjenisë së saj krijuese dhe se ajo shfaqet në sytë e tyre pikërisht ashtu, siç shfaqej vetë antikiteti greko-romak në sytë e Evropës.

Me këtë rast, më lejoni, të shpreh dëshirën time se do të ishte në nderin tonë dhe me mjaft interes që shkrimet e Dora d’Istriës për Persinë dhe botën e gjerë perse të përmblidheshin në një vëllim modest dhe të botoheshin për publikun e gjerë shqiptar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›