Relacion,Mbi luftën kundër paragjykimeve fetare dhe propagandën ateiste-shkencore
Botohet për herë të parë
Arkivi Qendror Shtetëror
Problemi që është paraqitur për shqyrtim, siç del edhe nga raportet e komiteteve të partisë të Korçës, të Shkodrës dhe Ministrisë së Arsim-Kulturës nga sa konstatuan në vend dy ekipet që u dërguan në këto dy rrethe nga Komiteti Qendror, nga studimi i marrëdhënieve të kulteve me shtetin, nga të dhënat e organeve të punëve të brendshme është një problemi i rëndësishëm, që me të drejtë duhet të tërheqë vëmendjen e partisë.
Në të dy rrethet si në Korçë ashtu edhe në Shkodër, nga ana e partisë tregohet kujdes për këtë problem, punohet dhe ka rezultate. Të tre raportet e paraqitur tregojnë, në vija të përgjithshme, gjendjen reale me të mirat dhe të këqiat e saj. Në anët e mira, përveç sa thuhet në raportet, mund të përmirësohet edhe se organizatat bazë dhe komitetet e partisë nuk bëjnë lëshime në këtë çështje dhe luftojnë me vendosmëri kundër përpjekjeve të bëra kohët e fundit nga klerikët për tu riaktivizuar e për të rifituar ndonjë pozitë të humbur.
Me gjithë këtë kohët e fundit vihet re se jo gjithnjë komitetet e partisë dhe organizatat bazë merren seriozisht me luftën kundër influencës së fesë. Ndërsa për të luftuar kundër disa zakoneve prapanike që dëmtojnë ekonominë, shëndetin e popullit dhe pozitën e gruas në shoqëri është bërë një punë më e mirë, në drejtimin e influencës së fesë bëhet më pak.
Në takimet që u bënë me punonjës të aparateve të partisë, të organizatave të masave, sekretarë të organizatave bazë, arsimtarë dhe punonjës të thjeshtë dalin edhe këto çështje:
1.-Puna e partisë nuk është e vazhdueshme, ajo bëhet në raste të caktuara psh kur merret në shqyrtim nga byroja e rrethit, përpara ndonjë feste ose kur papritur del ndonjë çështje, siç mund të jetë rasti kur gabon ndonjë shok apo kur ndonjë klerik kryen ndonjë akt të shëmtuar.
Në qoftë se lufta kundër paragjykimeve fetare dhe propaganda ateiste-shkencore nuk bëhet nga të gjithë, me të gjitha mjetet dhe format, kudo dhe kurdoherë rezultatet do të jenë të avashme.
Sidomos lufta kundër paragjykimeve fetare, besimeve të kota, zakoneve jo të mira, riteve fetare, mbajtjes së ikonave etj. duhet të bëhet nga çdo komunist, aktivist i organizatave të masave, arsimtarë etj. dhe çdo ditë sa të ndeshemi me këto gjëra në kontaktet e marrëdhëniet me njerëzit.
Kjo luftë duhet bërë kryesisht për ato paragjykime e zakone që dëmtojnë ekonominë, shëndetin e njerëzve dhe ulin personalitetin e gruas, por edhe për çështje të tjera që pengojnë edukimin e njeriut të ri me botëkuptim të ri, e norma të reja morale në përputhje me kushtet e sotme të marrëdhënieve socialiste në prodhim.
2.-Kryhet një farë përpjekje e klerikëvë për tu riaktivizuar, për të rifituar ndonjë pozitë të humbur dhe për t'iu adoptuar kushteve. Kjo sigurisht ka lidhje me gjendjen politike të jashtme sepse duke parë lëshimet që bëjnë revizionistët edhe në çështjet e fesë, klerikët mendojnë të fitojnë ndonjë gjë dhe tek neve.
Kjo ka lidhje edhe me përpjekjet që bëjnë ata për të shtuar burimet e të ardhurave për veten e tyre duke zgjeruar aktivitetin fetar. Përpjekja e tyre për të rifituar ndonjë pozitë të humbur shprehet në shtimin e kërkesave ndaj komiteteve ekzekutive të K.P. të rretheve dhe ndaj Kryeministrisë, degës së kulteve psh. për t'iu dhënë e drejta priftit që të hyjë në spitalet e shtetit etj. ose duke i rënë kambaneve jashtë çdo rregulli të caktuar.
Kurse tendenca për t'iu përshtatur kushteve konkrete tani duket më qartë. Përpara psh pagëzimi bëhej në një ditë të caktuar, tani mund të bëhet kurdo, përpara mesha bëhej në mëngjez, tani mund të bëhet edhe pas dreke, pasi të kenë dalë njerëzit nga puna etj.
3.-Shkolla bën një punë të pamjaftueshme dhe të mjerueshme lidhur me këtë çështje. Arsimtarët, inspektorët, shefat e sektorëve dhe vetë ministria në përgjithësi mjaftohen me atë që thuhet se vetë programet e shkollës sonë janë ateiste dhe se edukimi në botëkuptimin ateist-shkencor bëhet nëpërmjet procesit mësimor.
Megjithëse edhe kjo punë bëhet mjaft dobët mendojmë se të kufizohesh në programet dhe në procesin mësimor është e pamjaftueshme.
Me nxënësin e shkollës fillore e shtatëvjeçare nuk është puna vetëm për të luftuar botëkuptimet fetare dhe për të rrënjosur tek ata botëkuptime ateiste-shkencore, por kryesisht për të luftuar kundër disa traditave e zakoneve fetare të cilat nxënësit i marrin në shtëpitë e tyre dhe u bëhen
si shprehi, siç mund të jenë nderimi për kishat, xhamitë, e klerikët, vajtje në kishë, në xhami, ose krezmimi, agjerimi etj.
Siç mund të jenë edhe marrja pjesë në korrin e kishës. Shkolla jonë duhet të luftojë përditë kundër këtyre gjërave, por kjo nuk bëhet, si duhet, sepse ky problem nuk është ngritur kështu përpara arsimtarëve dhe sepse disa arsimtarë nuk iu futen këtyre gjërave.
Shkolla ka për detyrë që me punën e saj të bëjë që fëmijët tanë të rriten ateistë. Prandaj, me anë të vetë procesit mësimor me anë të punës së përditshme edukative të mësuesve dhe me anën e punës të organizatave të rinisë, duhet të bëjnë që brezi i ri të çlirohet nga paragjykimet fetare. Kjo është plotësisht e mundshme në qoftë se do të punohet mirë.
Fshatarin, gratë dhe pleqtë, është e vështirë t'i bindësh se "nuk ka zot" apo si "bie shiu" etj. Kurse me nxënësit kjo duhet arritur medoemos. Shtëpia e kulturës, klubet e Bashkimeve Profesionale dhe shtëpitë e vatrat e kulturës në fshat, problemin e propagandës ateiste-shkencore nuk e kanë pasur parasysh si një problem politik dhe ideologjik të vazhdueshëm.
Aktiviteti i tyre është mbështetur më tepër mbi leksionet ose repertorin artistik të dërguar nga Shtëpia Qendrore e Krijimtarisë, të cilën e kanë përdorur herë pas here pa e lidhur me gjendjen dhe influencat fetare e prapanike që janë më të theksuara në rrethin e tyre.
Ministria e Arësim-Kulturës dhe Shtëpia Qendrore e Krijimtarisë, mund të kishin bërë një punë më të mirë për përhapjen e eksperiencës ose institucioneve kulturale në drejtim të propagandës ateiste-shkencore, ashtu siç kanë filluar këtë kohë.
Nuk janë botuar albume, skica, pllakate, karikatura dhe materiale të tjera të ilustruara nga Shtëpia Qendrore e Krijimtarisë, ashtu siç porosit vendimi i Sekretariatit.
4.-Nuk bëhet një koordinim i mirë i punës politike të partisë me punën e organeve shtetërore dmth me veprimin e ligjeve nga ana e Komiteteve ekzekutive të K. P. të rretheve si dhe me punën e organeve të sigurimit që ndjekin veprimtarinë armiqësore të disa klerikëve.
Kështu ndodh që kur partia demaskon ndonjë veprim të priftit a të kishës kjo nuk shoqërohet me masa shtetërore në bazë të ligjeve në fuqi,
Psh vdiq një fëmijë pse hoxha i shkroi nuska dhe pengoi që atë ta çonin te mjeku.
Ose ndodh që ndonjë prift për veprimtarinë e tij armiqësore goditet nga organet tona të sigurimit, por nuk është punuar më përpara për demaskimin e tij në mënyrë që goditja të mos bëjë përshtypje në besimtarët.
Ose ndodh që kur kleri katolik, ai mysliman apo ai ortodoks kërkon, qoftë në Komitetin ekzekutiv të P.K.të rrethit qoftë edhe në Kryeministri për të ndrequr një kishë apo një xhami përpara se t'u refuzohet organet shtetërore nuk e ngrejnë këtë problem përpara komitetit të partisë, që ky i fundit, me anë të punës së tij, të ndalojë mbledhjen e parave në popull për ndreqjen e faltores, të marrë dhe masa të reja, duke punuar me njerëzit që faltorja të mos ndreqet. Mendojmë se kjo është e domosdoshme.
Si përfundim mendimi ynë i përgjithshëm është se pa krijuar asnjë problem të ri në lidhje me fenë dhe klerikët, të forcohet puna e partisë për të luftuar paragjykimet fetare, për të shtuar e përmirësuar propagandën ateiste-shkencore për të mos bërë asnjë lëshim po përkundrazi të fitohen edhe pozita të reja duke i ngushtuar gradualisht dhe hap pas hapi aktivitetet fetare mendojmë se duhet synuar drejt këtij objektivi: që shërbimet fetare të bëhen vetëm brenda faltoreve.
Këtu nuk është fjala që besimtari të falet vetëm në xhami në kishë, por që ceremonitë fetare ku merr pjesë prifti ose hoxha të bëhen vetëm në faltore. Psh procesionet fetare kur del prifti ose hoxha për të shoqëruar të vdekurin në vorrezet, kur shkon shtëpi më shtëpi për ujin e bekuar, për t'iu lutur Zotit që të bjerë shi etj. Sigurisht këtu duhet ecur me takt, por mund të bëhet diçka.
DREJTORESHË E DREJTORISË ARËSIM-KULTURËS
P. NEXHMIJE HOXHA
TEFIK ÇAUSHI d.v
SEKRETARI K.Q TË P.P.SH
RAMIZ ALIA d.v
DREJTORI I DREJTORISË AGIT-PROPIT
FADIL PAÇRAMI d.v
17.XII. 1963
A.Q.SH.F