Dordolecë me uniformë...
Debatet e bëra para pak ditësh në Komisionin e Mbrojtjes dhe të Sigurisë, të cilat pjesërisht u botuan edhe në të përditshmet, normalisht duhet të vënë në mendime dhe në pozicion reflektimi jo palën ushtarake, por "udhëheqjen civile" (siç u pëlqen të vetëquhen) të Forcave të Armatosura. Drejtuesit e Komisionit, por edhe disa të tjerë që "kullosin" hergjelé në livadhet e taksapaguesve shqiptarë, do të qe mirë që të ngriheshin mbi veten, jashtë interesave të ngushta të xhepave të tyre e të partive që i sjellin në ato funksione.
Thuhet kjo, pasi në këtë vend janë më se të bindur për ndërtimin e mbrapshtë të Ligjit për Forcat e Armatosura të gjithë politikanët, deri te Kryeministri e te Presidenti i Republikës, i cili është njëkohësisht edhe Komandant i Përgjithshëm. Janë të bindur për mbrapshtinë e Ligjit, pasi vetë politikanët, të majtë e të djathtë, janë përpiluesit e tij, në funksion të kënaqjes së ekuacioneve partiake. Kënaqja e këtyre ekuacioneve në piramidën administrative të shtetit, doemos është vetëshkatërruese e vetëm për shtet nuk bën fjalë. Por kur vjen fjala te Forcat e Armatosura, aty "nuk mban më ujë pilafi", aty gjithçka nëpërkëmbet, çirret e griset, aty bie çdo lloj baze krenarie kombëtare, aty ç‘gjë më të mirë rrit e selit ky komb me shtrëngim rripi, shkon në...greminë!
Zotërinjtë e Këshillit të Mbrojtjes, ashtu siç "nuk dinin ku binte Gërdeci", ashtu vazhdojnë në mënyrë të ndërgjegjshme "të mos dinë" faktet dhe shkaqet që çuan në të, "të mos kenë dijeni" edhe për faktin se mbi 1000 forca sot nuk kanë uniforma e këpucë, pasi ende nuk është bërë tenderi nga ana e Repartit 100 të MPBr në Mullet, repart i cili, dreqi e di për ç‘arsye duhet të tenderojë edhe...uniformat e ushtarakëve shqiptarë.
Të gjitha këto bazën e kanë te famëkeqi Ligj i vitit 2000 "Për Pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit në FA", "ligj" i cili u hartua nga politika e kohës me "kriteret" e mësipërme, e që tamam për këtë arsye i pëlqen edhe politikës së sotme. Në këtë kuptim thelbësor, e jo thjesht në atë figurativ, Forcat e (ç)Armatosura (ligjërisht) janë kthyer mirëfilli në Dordolecë me Uniformë të shkarravitur. Udhëheqësia civile (kur të bëhet e tillë), kapardisen nëpër tribuna kur parakalojnë trupat e leckosura e të keqpaguara që pasi i kanë zhveshur nga çdo lloj petku ligjor dhe pëlhuror, i quajnë edhe "krenari e vendit", edhe "ambasadorët më të mirë" të Shqipërisë, etj., etj.
Drejtuesit e NATO-s në vendin tonë ngelën pa frymë kur dëgjuan ish-ministrin e Mbrojtjes para një vit e gjysmë kur hodhi tezën e "strukturës së integruar". Këtë lloj strukture aktualisht e ka vetëm një vend: Britania e Madhe, e cila për dijeni të "ministrave" të radhës në Tiranë, i ka nja pesë shekuj që funksionon si Perandori. Në Ministrinë e Mbrojtjes së Londrës, civili pasi ka fituar një vend pune me konkurrim (e jo me teste), zë një karrige aty pas derës në zyrë, e nëse është i zoti e ka vlera administrative, "lëviz" për më lart. Por kjo ndodh atje, në Londër, e londinezët e bënë strukturën për Anglinë, pasi atje, ministri i radhës, nuk e mbush furgonin në Durrës me militantë partiakë për ta shkarkuar në... Ministrinë e Mbrojtjes, siç rëndom ka ndodhur në Ministrinë e Tiranës! Tani, edhe me "ligj", këta militantë të rëndomtë partiakë, të cilët asnjë vlerë burokratike nuk kanë, por që vijnë në ministri vetëm për ta mjelë atë, do të bëhen "drejtorë" drejtorish, duke pasur zëvendës...Kolonelët! Edhe Hungaria (e cila gjithashtu ishte Perandori), e provoi strukturën e integruar, por nuk i dha fryte dhe iu kthye tradicionales, asaj që mban e gjithë bota, përfshi dhe Amerikën, përjashto Britaninë e Madhe. Britania e Madhe quhet dhe është e tillë, pasi është i vetmi vend në botë ku Kryeministri me shumë fëmijë (katër), mori kredi për të blerë shtëpi. Në këtë kuptim, nuk besoj se ka shumë lidhje me shtetin-dordolec, i cili shet qindra mijëra tonë armatime dhe nuk arkëton asnjë dollar në arkën e tij. Jemi i vetmi vend në botë ku shefi i Shtabit nuk ka as të drejtën për emërim të një oficeri, as për të dërguar një oficer në kurse e shkolla kualifikimi, por janë "ekskluzivisht" pronë e ministrit të radhës. Ministri as e ka idenë (e kjo jo për faj të tij), se cili oficer është i aftë, e cili më pak. Por kur listat e oficerëve bëhen në selitë blu dhe rozë (respektivisht), të tillë katandisje do të kemi. Ashtu siç jemi i vetmi vend në botë, i cili oficerët nuk i arsimon (formon) në shkollën e tij, por jashtë, në Greqi, Itali e gjetkë. Prandaj edhe njëri ndër tenderët më fitimprurës në Ministrinë e Mbrojtjes zhvillohet kur "vilen" kandidaturat për studime jashtë shtetit, me bursë nga vendi ynë. Kuptohet, vetëm blloku i ministrit të radhës, por, "me u gjend Kola n‘pune", ia çojnë për sigël edhe shefit të shtabit, pasi i kanë venë vulën e ministrisë. Ministri aktual ende nuk e ka kaluar këtë moment, pasi këto procedura kurorëzohen në muajt korrik-gusht të vitit përkatës. Le të shpresojmë më të mirën në të ardhmen. Vendet e tjera i arsimojnë oficerët në shkollat e tyre, pastaj i kualifikojnë jashtë. Sepse është krejt tjetër gjë formimi (ngjizja) e tjetër gjë kualifikimi. Tani që jemi në NATO, kanë filluar të na dalin "vijat e zebrës", ata po çuditen, por siç gjithnjë kanë vepruar, e kalojnë me një "OK, OK" shakanë shqiptare të radhës që quhet "strukturë e integruar", pasi janë të bindur se po këta shqiptarë pas një viti do t‘u shkojnë në zyrë me një tjetër strukturë të printuar, e ata përsëri do të vazhdojnë të bëjnë ritualin: OK, OK!, derisa këta "tanët" të bëhen përveç të tjerash edhe ...shtet. Prandaj oficeri shqiptar fshihet kur i vjen homologu i tij nga...Maqedonia(!), pasi ky yni i përballon nga xhepi i vet kafet dhe drekat, të cilat maqedonasi në vendin e tij i ezauron thjesht duke...marrë faturën e lokalit në xhep. Prandaj shefi i Shtabit të Përgjithshëm nuk e ka mundësinë t‘i japë një kafe në zyrë një qytetari të këtij vendi, sepse ai vetë, bashkë me stafin që drejton, rregullisht çdo muaj vendos 1000 lekë të reja për kafen dhe sheqerin! Kjo gjendje, me një fjalë të vetme, quhet vetëm Katandisje. Le të shpresojmë se as Kryeministri, as Presidenti i këtij vendi nuk i njohin përmasat e vërteta të kësaj tragjikomedie, përndryshe do të reagonin, me Ligj, duke bërë Ligj e jo "Maliq", si ai i vitit 2000. Asnjëherë nuk është vonë, mjafton të ekzistojë serioziteti i duhur dhe respekti për Forcat e Armatosura. Sepse qeveritë shkojnë e vijnë, kurse shteti duhet të bëhet dhe të mbetet, Forcat e Armatosura nuk kanë mandat, ato janë të përjetshme...
*Major në rezervë