Shqipëria ekonomike dhe Shqipëria sociale
1.
Pak kohë më parë, dy nobelistë në ekonomi tronditën opinionin shkencor me sfidën e hapur ndaj GDP, kësaj zonjëze 75-vjeçare. Thelbi i idesë së Stiglitz, Sen dhe kolegut të tyre
Fitoussi, e cila është përshkruar më parë edhe nga ekonomistë shqiptarë të njohur, ishte se GDP nuk mund të shërbejë si matës i vetëm i rritjes ekonomike. Matja e kësaj rritjeje, e mbështetur thjesht në llogaritjen e GDP është e kufizuar. Midis argumenteve që vunë në mengene rolin e GDP-së, autorët nënvizuan tri prej tyre: Së pari, GDP kufizohet në një vizion të ngushtë të rritjes ekonomike, në vlerën e tregut të mallrave e shërbimeve, pa llogaritur madje as zhvlerësimin e tyre. Së dyti, GDP nuk mund të masë vlerën e monetarizueshme të mallrave e shërbimeve të prodhuara në sektorë të caktuar të ekonomisë, si ekonominë informale, ekonominë familjare, kostot e shërbimeve të ruajtjes së rendit publik, mbrojtjen prej ndotjes etj. Së treti, GDP nuk mund të shprehë në terma numerikë nivelin e mirëqenies së individëve, familjeve dhe shoqërisë. Mirë që standardi i jetesës matet me vlerat e mallrave e shërbimeve të blera ose të përfituara nga qytetarët, si konsumatorë, përfitues ose klientë. Por si do të matet, fjala vjen, kënaqësia e klientëve dhe konsumatorëve, ankthet dhe stresi psikologjik që shkakton te qytetari pabarazia dhe shtresëzimi ekonomik e social, papunësia, varfëria, përjashtimi social, katastrofat natyrore apo shoqërore etj? GDP, si një tregues joperfekt i matjes së performancës ekonomike, nuk ka dhënë një përgjigje për këto pyetje. Prandaj, në vend të saj autorët e lartpërmendur propozuan indikatorin performancë ekonomike dhe progresin social.
2.
Sfida e ekonomistëve të njohur nuk ishte një rrufe në qiell të kthjellët. Së pari, ajo zbuloi në mënyrë më të qartë dhe më të plotë mangësitë e njohura të GDP në matjen e progresit social. Ekonomistët dhe sociologët, e theksoj sociologët, kanë kohë që përpiqen të vënë në dukje paplotërinë e GDP në matjen e mirëqenies. Me këtë qëllim janë prezantuar edhe disa matës alternativë të rritjes ekonomike, të kombinuar me rritjen e mirëqenies. Njeri syresh është indeksi i zhvillimit njerëzor, HDI, si kombinim i matjes së jetëzgjatjes, arsimimit dhe varfërisë. Së dyti, kjo sfidë nuk u publikua si një kuturisje teorike, por si produkt i punës së një komisioni të ngritur nga njeri prej vendimmarrësve më të rëndësishëm europianë dhe të planetit, Presidentit francez, Sarkozy. Rezultatet e tyre autorët i paraqitën në raportin e Komisionit Ndërkombëtar për Matjen e Performancës Ekonomike dhe Progresit Social. Kjo tregon se periudha midis verifikimit të një hipoteze teorike dhe zbatimeve praktike të saj po bëhet gjithnjë e më e shkurtër. Komisioni Sarkozy tregon gjithashtu se politikëbërja po mbështetet gjithnjë e më shumë në studimet komplekse për shoqërinë, aspektet dhe treguesit, disa herë vështirësisht të matshëm, të zhvillimit të saj.
3.
Raporti i komisionit Sarkozy hedh gjithashtu dritë mbi kuptimin modern të shoqërisë, konkretisht raportin midis pjesës ekonomike dhe sociale të godinës së saj. Kuptimi tradicional i këtyre raporteve nuk shkonte më tej sesa konceptimi i sociales si mbivendosje, pasojë dhe derivat i ekonomikes. Ky raport, që e ka zanafillën e vet në analogjinë me konceptimin marksist mbi raportin midis bazës dhe superstrukturës, nuk mbeti atribut vetëm i shkollave marksiste të ekonomisë dhe sociologjisë. Determinizmi ekonomik ka sunduar për një kohë të gjatë shumicën e shkollave të ekonomisë, filozofisë dhe sociologjisë botërore. Ndërsa politikë-bërja dhe qeverisja u janë vetëdorëzuar si robina këtyre kuptimeve të njëanshme.
Kuptimi tradicional midis ekonomikes dhe sociales mbizotëron në shumicën e programeve qeverisëse, politike dhe elektorale në Shqipëri, pavarësisht vendosjes së partive në spektrin politik. Strategjitë, matricat dhe planet e veprimit nuk bëjnë më shumë sesa shpallin platforma të zhvillimit ekonomik dhe pastaj, si për të bërë detyrën ndaj sindikalistëve apo votuesve, rreshtojnë disa masa në fushën sociale. Në këtë mënyrë, politikat sociale marrin pamjen e masave amortizuese e ngushëlluese ndaj goditjeve që mund të pësojë popullsia nga reformat ekonomike. Politikat sociale nënkuptohen, pra, si kapelanë të shoqërisë, që thirren me mision për të mbajtur me gajret viktimat nga pasojat e reformave. Raporti i mjegullt midis ekonomikes dhe sociales, është me sa duket, arsyeja gnoseologjike e politikave sociale jovizionare, mbetjes së tyre në tipologjinë e politikave pasive, rehabilituese e kuruese. Duke iu referuar modelit të tranzicionit shqiptar, mund të themi se kufizimi në këtë vizion jo vetëm që nuk ka sjellë një qasje tërësore të problematikave sociale në vend, por shpesh edhe ka i riprodhuar në mënyrë ciklike ato.
4.
Raporti i Komisionit Sarkozy hedh gjithashtu dritë mbi faktin se shpesh politikë-bërësit e kuptojnë në mënyrë të përmbysur raportin midis zhvillimit ekonomik dhe zhvillimit social. Thelbi i kësaj kokëposhtësie është klasifikimi i zhvillimit social si një aneks ose një temë dytësore e zhvillimit ekonomik. Në fakt, është e kundërta. Zhvillimi ekonomik përbën bërthamën e zhvillimit social. Zhvillimi dhe rritja ekonomike nuk janë veçse në funksion të zhvillimit social. Shifrat e rritjes ekonomike nuk janë një qëllim në vetvete, por tregues në funksion të mirëqenies, e cila përbën bërthamën e zhvillimit social. Politikat e zhvillimit social nuk janë, pra, bojaxhiu që lyen së jashtmi godinën e shoqërisë, duke mbuluar edhe defektet e ndërtimit, por arkitekti, projektuesi i saj.
5.
Rëndësia e sfidës së komisionit Sarkozy rritet po të kemi parasysh debatin politik kombëtar mbi rritjen ekonomike. Kufizimi vetëm në treguesit e GDP shpie natyrshëm në prirjen e politikanëve për të manipuluar llogaritjen e këtyre treguesve dhe spekuluar me to. Duke qenë atribut i institucioneve të specializuara, kritika ndaj llogaritjeve të tyre është në çdo rast vulnerable, për shkak të mungesës së institucioneve alternative, publike ose jopublike. Asnjë qeveri nuk e ka të vështirë të mbrojë treguesin e vet të GDP-së. Por asnjë qeveri nuk e ka të lehtë t‘u japë përgjigje pyetjeve: Si do të zgjidhet dilema midis rritjes ekonomike dhe punësimit, në mënyrë që rritja ekonomike të mos prodhojë automatikisht papunësi? Cilat janë pasojat në vlerë jofinanciare të kohëzgjatjes së varfërisë? Cila është kostoja sociale e dekurajimit të forcave të punës prej papunësisë afatgjatë? Cila është fatura shoqërore e braktisjes së shkollës? Si do ta matim dëmin demografik që shkakton fluksi i lartë migrator? Si do të numerizohet korrelacioni midis divorcit dhe mirëqenies? Këto janë disa pyetje që shkojnë përtej Shqipërisë ekonomike dhe na sinjalizojnë se Shqipëria sociale nuk është ajo që na japin numrat e prodhuar prej institucioneve, por ajo që na ofron jeta e varfër e shqiptarëve.
6.
Kontrasti i raporteve midis ekonomikes dhe sociales nuk mund të mos merrte, me kalimin e kohës, edhe një konotacion politik. Në këtë kontekst, përballë admirimit për Europën e EURO-s, u zhvillua alternativa për Europën e vlerave. Përballë fatalitetit ndaj dorës së padukshme, u zhvillua ekonomia sociale e tregut. Përballë Europës së tregjeve, lindi Europa e qytetarëve. Në vazhdim të Europës së korporatave, po konturohet Europa e Re Sociale. Po Shqipëria sociale?