Islami: Në Parlament, nëse duhet vota për integrimin
Lëvizja për Mendimin Ndryshe do të respektojë afatin ligjor të mandatit të deputetit, por nëse Parlamenti shqiptar ka nevojë për votën e tyre për reforma me rëndësi që lidhen me fatin e integrimit të vendit, atëherë do ketë një vendim për të hyrë në Parlament. Deklarata u bë dje nga një prej aktorëve të kësaj Lëvizjeje, Kastriot Islami, i cili në fakt shprehu bindjen se në muajin janar do të ketë një numër të madh deputetësh që do t‘i bashkohen vendimit për të thyer bojkotin. Islami deklaroi se LMN-ja ka bindjen për të respektuar vendimin e partisë, Kushtetutën por sipas tij, debati në demokraci bëhet në Parlament. "Ne jemi munduar jo thjesht se jemi kundër linjës së PS. Jemi të bindur që bojkoti është praktikë jo e standardeve europiane. Asnjë vend nuk e aplikon bojkotin, e kuptoj që ka pasur problem me zgjedhjet, por ky është debat i brendshëm. Ne kemi thënë që PS ka humbur dhe analiza duhet bërë edhe për problemet e zgjedhjeve, por edhe tek përmirësimet që ajo duhet të bëjë. Nga pikëpamja legale, PS e ka pranuar rezultatin, por ama nuk e pranon politikisht", tha ai.
Islami tha se ka kontakte me ndërkombëtarët dhe ata nuk e mbështesin idenë e bojkotit dhe të zgjedhjeve të parakohshme. "Unë kam qenë në një takim ndërkombëtar në Paris dhe të them të vërtetën ky është një rast i veçantë, pasi Shqipëria futet në vendet që nuk kanë stabilitet politik. Jam ndier keq që gjatë tetë viteve të PS në pushtet kemi bërë një luftë maksimale për sjelljen e Berishës ndaj bojkotit", u shpreh Islami. Ngjarjet e para disa javëve, tha ai, tregojnë se kriza nuk po zgjidhet, por edhe po thellohet ndaj kjo sjell nevojën e moderimit të krizës dhe zgjidhjes së saj përmes Presidentit apo faktorit ndërkombëtar.