E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëheqja e Bares, Islami: Përgjegjësia e tij periferike

TIRANË Dorëheqja e Besnik Bares nga posti i kryetarit të PS-së së Tiranës është komentuar edhe nga deputeti i PS-së, Kastriot Islami. Në një intervistë televizive, Islami argumenton se përgjegjësia e Bares për Tiranën është periferike, krahasuar me përgjegjësin kryesor, që sipas tij, është Edi Rama. “Çështja që do të shtrohej është se kush caktonte kandidatin për Tiranën. Natyrisht që z.Bare nuk e caktoi Ramën, pra, ky i fundit nuk është caktuar nga z.Bare. Në rastin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, mendoj se z. Bare ka përgjegjësitë minimale, periferike ose sekondare. Përgjegjësia është e z. Rama, sepse nuk është sekret, që kandidaturën në Tiranë, ai insistoi vetë për ta përcaktuar”,- tha Islami. Deputeti i PS-së ka një koment edhe për kryetarin e komanduar të PS-së së Tiranës, Saimir Tahiri. Sipas Islamit, Tahiri do të ishte në konflikt interesi në rast se më pas do të garojë për postin e kryetarit të PS-së së kryeqytetit. Pak ditë më parë, Besnik Bare dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Socialiste, Tiranë.

Bare sqaroi në një deklarim për mediat se ky akt erdhi si rrjedhojë e përgjegjësisë, që ai personalisht ka ndjerë për rezultatin në zgjedhjet vendore, për bashkinë e kryeqytetit. Megjithëse e konsideroi rezultatin e Tiranës si të vjedhur, Bare u shpreh se kishte përgjegjësi direkte për mos parandalimin e kësaj situate, ndaj dhe kishte parë të arsyeshme largimin e tij, në mënyrë që edhe t’i hapte rrugë reformimit të kësaj dege të PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›