E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi viziton familjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi

Kreu i shtetit Bamir Topi do të vizitojë sot familjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i cili u vra dy ditë më parë në Vlorë nga një atentat mafioz.
Sipas Presidencës presidenti do të jetë rreth orës 14:00 në familjen Konomi për t`u shprehur atyre ngushëllimet për vdekjen e të dashurit të tyre.
Ndonëse kanë filluar hetimet intensive, fill pas ngjarjes së rëndë që tronditi jo vetëm qytetin e Vlorës, por edhe mbarë opinionin publik shqiptar, atentati mafioz kundër gjyqtarit Skerdilajd Konomi vijon të mbetet i mbuluar me mister.
Janë disa versione dhe pista për ngjarjen, ndërkohë që dje kreu i Policisë së Vlorës tha se shumë shpejt do të bëhet i ditur dhe emri i autorit.
Mësohet se grupi hetimor, i cili po analizon me detaje ngjarjen e së premtes, po punon në tre pista kryesore. Dyshimet janë hedhur në një atentat të mundshëm për shkak të detyrës dhe për këtë, grupi hetimor ka kërkuar nga Gjykata e Vlorës dosjet që Konomi ka gjykuar në 6 mujorin e fundit. Pista e dytë ka të bëjë më çështjet e pronësisë, pasi gjyqtari ishte përfshirë në një akt gjyqësor për 40 ha tokë në Gjirin e Lalzit në Durrës, ndërsa alternative e tretë, të paktën deri tani është ajo e një konflikti personal, pavarësisht dëshmive pozitive nga persona të afërm të tij.
Ndërkohë që hetimet për vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi vazhdojnë, policia ka vënë në dispozicion një shumë prej 100 mijë eurosh, për informatorin i cili do të japë të dhëna për identitetin e atentatorëve të këtij krimi të rëndë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›