E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha keqpërdori mbështetjen e SHBA-së, ja mëkatet e qeverisë

10 vjetori i 11shtatorit të sulmeve terroriste, Rama: “Është dita për të reflektuar për mëkatet e qeverisë së sotme shqiptare që e kanë futur korrupsionin në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, duke e keqpërdorur tinëzisht e babëzisht, mbështetjen jetike të Shteteve të Bashkuara e të NATO-s, dhe duke nxjerrë përfitime të paligjshme financiare”

TIRANË Kryetari i opozitës, Edi Rama, ka zgjedhur sërish editorialin, drejtuar mediave në vend, për të komentuar së fundmi, 11 shtatorin e sulmeve në SHBA, duke nënvizuar se ky dhjetvjetor është dita për të rinënvizuar gatishmërinë e vendosmërinë e Shqipërisë për të bërë atë që i takon pa dallime politike e fetare, në mbrojtje të interesave globale e të vlerave demokratike, që përfaqëson SHBA. “11 shtatori ishte shpërthimi i një konflikti marramendës mes dy botësh, demokracisë dhe fashizmit të rishfaqur me armët e terrorit fondamentalist nën vellon islamike ku nuk fshihej profeti i madh i botës muslimane, po demonët e shkretëtirave morale e shpirtërore që me pushkë në krahë e me emrin e Allahut në gojë kishin ngritur në këmbë, në terrin e injorancës e të varfërisë, një armatë të padukshme të verbërish të kthyer në bomba të urrejtjes njerëzore. 11 shtatori ishte rishfaqja në një formë të re e së keqes që bota e lirë e mendonte të zhdukur njëherë e mirë nga faqja e dheut me triumfin e përgjakshëm të Luftës së Dytë Botërore dhe Shqipëria e vogël u gjend vetiu në frontin e dikurshëm të forcave të lirisë, duke u rreshtuar kombëtarisht e shtetërisht në krah të aleatit të saj të madh...”,- shkruan Rama në analizën e tij. Rama shkruan se në këto 10 vite kanë ndodhur shumë gjera. “...Shtetet e Bashkuara kanë paguar çmimin më të lartë në jetë njerëzore të humbura në fushat e betejave e në gjithshka u është dashur të sakrifikojnë nga jeta në paqe për të fituar luftën. Të tjerët me radhë kanë bërë sakrificat e tyre në jetë njerëzish e jo vetëm aq në frontin e mbrojtjes së vlerave të panegociueshme të lirisë e të demokracisë nga demonët e terrorizmit, fondamentalizmit, fashizmit oriental të mishëruar në dikatura obskurantiste e gjakatare brenda hartës së botës arabe e në shpirtra njerëzish të kapur prej Djallit kudo nëpër botë. Shqipëria ka bërë me dinjitet atë që i takon, sa i takon dhe si i takon...”, - shkruan Rama.

Reflektimi

Ky dhjetvjetor sipas Ramës, është edhe dita për të reflektuar për “mëkatet e qeverisë së sotme shqiptare që e kanë futur korrupsionin në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, duke e keqpërdorur tinëzisht e babëzisht mbështetjen jetike të Shteteve të Bashkuara e të NATO-s, dhe duke nxjerrë përfitime të paligjshme financiare”.

“Kush më shumë e kush më pak, në elitën e pushtetit dhe në atë të forcave tona të armatosura. Saliu e oborri i tij e kanë bërë përmes kanaleve të llumit të përgjakshëm të Gërdecit, ku kontrabanduan sasira të mëdha municionesh, me kosto njerëzore e financiare të tmerrshme për Shqipërinë, ndërsa disa gjeneralë shqiptarë, duke heshtur para këtij korrupsioni të neveritshëm ose duke marrë ryshfete nga rekrutët për t’i futur në listat e misioneve të NATO-s në Irak apo Afganistan. S’është Saliu, i pari kryeministër i këtij vendi, që rreshtimin natyral të popullit shqiptar në krah të Shteteve të Bashkuara dhe gatishmërinë e vendosmërinë konsensuale të politikës shitake, për t’iu përgjigjur çdo kërkese të frontit të luftës kundër terrorizmit pas 11 shtatorit, e përdor si kartabiankë për të shkelur në Shqipëri liri e të drejta, për të abuzuar me shtetin e me ligjin, për të garantuar stabilitet, falë cënimit të demokracisë, dhe keqpërdorur mbështetjen tradicionale të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë, si këmbim në mbështetje për karrigen e tij”, - shkruan Rama. Por sipas tij, Berisha është i pari kryeministër që prej 11 shtatorit, të vitit 2001, që proamerikanizmin e popullit shqiptar dhe mbështetjen e paçmueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë e përdori “për të grabitur zgjedhjet e për ta kthyer në fakt të kryer përmes votave të vjedhura, qeverisjen e qytetarëve të këtij vendi, në nivel kombëtar a vendor”. “Eshtë i pari kryeministër që nxit kërcënimin me jetë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare për të fshehur gjurmët që lidhin një mega aferë korrupsioni, si ajo e Gërdecit me derën e shtëpisë së tij, dhe po ashtu është i pari, që lëshon baltë e jargë në publik kundër opozitës, prokurorisë, drejtësisë, Presidentit të Republikës, për të mbyllur me kapakun e dhunës verbale e të shantazhit qeveritar zgafellën kutërbuese të mëkateve të veta në qeverisje, ku Gërdeci është më i përgjakuri, po s’është gjëkundi i vetmi...”,- shkruan Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›