E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-Kosovë, nënshkruhet marrëveshja e parë financiare

TIRANË Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, dhe homologia e saj kosovare, Vlora Çitaku, kanë nënshkruar dje në Prizren, marrëveshjen e parë financiare, në kuadër të programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar midis Kosovës dhe Shqipërisë. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, Ministrja Bregu vlerësoi vullnetin e dëshmuar nga qeveria dhe sakrificat e të gjithë kosovarëve për të ndërtuar shtetin e ri, si dhe shprehu besimin se proceset e integrimit, të Shqipërisë dhe Kosovës, drejt BE-së, do të ecin përpara në bazë të meritave. Më tej, duke u ndalur në marrëveshjen financiare të nënshkruar mes dy vendeve, në kuadër të programit të bashkëpunimit ndërkufitar, Bregu tha se ky bashkëpunim kufitar, një nga elementet më thelbësore, ka bashkëpunimin ndërmjet kombeve, shkëmbimin e kulturave dhe eksperiencave mes kufijve. “Shqiptarët kanë treguar se janë një komb me kulturë perëndimore, të hapur ndaj dialogut dhe që respektojnë kulturat e tjera në rajon. Bashkëpunimi ndërkufitar dhe projektet ndërkufitare do të ndihmojnë në përforcimin e këtij dialogu, në promovimin dhe zhvillimin e dy vendeve”, - tha Bregu. Nga ana e saj, ministrja kosovare e Integrimit, Vlora Çitaku, tha se kjo marrëveshje është dëshmi e radhës, që Kosova i është bashkuar trendit Ballkanik të integrimit europian, si një partner i denjë dhe i barabartë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›