E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëheqja e Bibës, Rama: Afirmoi integritetin moral, kundërshtoi cënimin flagrant të KQZ

TIRANE – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama reagoi sot në lidhje me dorëheqjen e nënkryetarit të KQZ-së, Denar Biba. Sipas kryesocialistit, vendimi i Bibës afirmon integritetin e tij moral dhe profesional, në kundërshtim me atë që socialistët e konsiderojnë si cënim të institucionit kryesor të administrimit të zgjedhjeve, pas shkarkimit të anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho.

I pyetur nga gazetarët për kandidatët e mundshëm që do të zëvendësojnë Denar Bibën në KQZ, Rama tha: “Këtu nuk flasim për zëvendësime personash, por rikthim në ligjshmëri të KQZ-së”.

Nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba, i propozuar në këtë detyrë nga Partia Socialiste dha dje dorëheqjen e parevokueshme nga ky institucion. Me anë të një deklarate për shtyp, Biba bëri të ditur se shkak i këtij vendimi u bë shkarkimi i anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho, i emëruar në këtë detyrë me propozim të LSI.

Në deklaratën e tij për shtyp, Biba sqaroi se “megjithëse të propozuar nga struktura parlamentare e të votuar me shumica që tejkalojnë ngjyrimet partiake në Kuvend, ne u trajtuam si anëtarë të rëndomtë partie, duke na fyer, e madje, ndonjërin edhe duke e cenuar në nderin e dinjitetin e tij personal e profesional. Në rrethana si këto, kur mbrojtja ligjore e institucionale që supozohej se e kishim të garantuar si anëtarë të institucionit të ngarkuar nga ligji për tu dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme është përdhosur haptazi, vlerësoj se duhet të jap dorëheqjen nga detyra e Zëvendëskryetarit dhe njëherësh anëtarit të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve. Populli ynë e meriton demokracinë dhe shtetin e së drejtës, ndaj ne nuk mund të tallemi duke i serviruar atij një KQZ si teatër marionetash, në duart e politikanëve”, - ka bërë të ditur Biba.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›