Dorëhiqet drejtori i policisë së Dibrës Shemsi Prençi

Jep dorëheqjen drejtori i Policisë së qarkut Dibër Shemsi Prençi. Kryepolici i Dibrës, i ka paraqitur sot dorëheqjen Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj ndërsa ka dhënë edhe arsyet e dorëheqjes në një prononcim për mediat.
“I detyruar nga veprimet arbitrale të drejtorit të policisë së shtetit i cili më ka pezulluar nga detyra jap dorëheqjen nga drejtori i policisë së Dibrës” ka theksuar Prençi.
Ai ka theksuar më tej se ka denoncuar në mënyrë të vazhdueshme aktivitetet kriminale në Bulqizë por nuk ka marrë mbështetjen e eprorëve të tij. “Kam denoncuar në mënyrë ritmike krimin, e kam luftuar me përkushtim por nuk kam gjetur mbështetjen e eprorëve. Në vazhdimësi kam denoncuar vjedhje dhe falsifikim të pasurisë publike por jam ndiher i braktisur nga eprorët e mi” ka theksuar Prençi.
Ai ka akuzuar strukturat e larta në Ministrinë e Brendshme dhe vetë Drejtorin e Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, se po përkrahin mafian e kromit. "Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj është katandisur në një njeri që mban vetëm çelësat e kashtës. Më pezulloi nga puna sepse u kisha rënë ndesh grupeve kriminale që janë të lidhur me grupe mediatike dhe për ti hapur rrugë shfrytëzimit të pasurisë kombëtare. Është koha që qytetarët të dëgjojnë. Do denoncoj në në publik pasi nuk janë të lidhura me shpellat e mafias. Do luftoj dhëmbë me dhëmbë me mafian e shpellave të Bulqizës që e kanë rrënjën në Tiranë. Nuk do hesht më” theksoi Prençi
Drejtoria e Përgjithshme ka emëruar menjëherë në vend të Prençit, Hasan Gjergjerin. Ndërkohë Shemsi Prençi ishte larguar nga pozicioni i drejtuesit të forcave operacionale, dhe prej disa kohësh mbante postin e Drejtorit të Policisë së Qarkut Dibër.