Interi, "duel" me Realin për Kristiano Ronaldon
Mançester Junajted ka një "armik" më shumë. Përveç Realit të Madridit, tashmë skuadra e drejtuar nga Sër Aleks Ferguson duhet t‘u ruhet edhe sulmeve të Interit për Kristiano Ronaldon. Kampionët e Italisë po vuajnë në lojën nga krahët, e duken të gatshëm të hyjnë në garën për të siguruar shërbimet e yllit portugez. "Sportmediaset" theksonte se zikaltërit synojnë të shfrytëzojnë menaxherin Horge Mendez për të arritur te fituesi i trofeut "Topit i Artë" dhe çmimi "Lojtari i Vitit 2008". Përveç Ronaldos, Mendez mbron edhe interesat e trajnerit Hoze Murinjo e mesfushorit tjetër të krahut, Rikardo Kuarezma. Sipas zërave që vijnë nga Italia, tashmë, detyra kryesore e menaxherit është që të bindë lojtarin e Mançester Junajted që të transferohet tek Interi. Javën e kaluar, gazeta "Corriere Dello Sport" shkruante për një takim sekret që Murinjo ka zhvilluar me Kristiano Ronaldon, ku kanë diskutuar planet për të ardhmen. Megjithatë, blerja e këtij futbollisti nuk do të jetë e lehtë, pasi së fundmi Ferguson deklaroi se portugezi nuk do të shitet për një shifër më të ulët se 120 milionë euro. Në anën tjetër, Murinjo nuk e ka fshehur asnjëherë admirimin për lojtarin, ndërsa presidenti Morati duket i gatshëm të plotësojë çdo kërkesë të drejtuesit të stolit. Interit i nevojitet një lojtar i aftë të luajë në të dy krahët e mesfushës, ndërkohë që si Rikardo Kuarezma ashtu edhe Amantino Mansini nuk i kanë justifikuar shifrat e shpenzuara, duke zhgënjyer me paraqitjet e tyre.