Atentat ish-policit, i vënë eksploziv me telekomandë
Shkodër/Një tjetër atentat ka ndodhur pasditen e djeshme, në qytetin e Shkodrës ku objektivi i agresorëve ka qenë një ish efektiv i Policisë rrugore. Sipas të dhënave nga Policia e Shkodrës, një sasi e konsiderueshme eksplozivi i është vendosur brenda në makinë efektivit të policisë rrugore të qarkut të Lezhës, Kujtim Çardhakut, në momentin që ai është futur në automjet dhe ka dashur të ndezë makinën. Shpërthimi u shënua rreth orës 18:30 minuta në qendër të qytetit të Shkodrës, afër sheshit Luigj Gurakuqi. Pas shpërthimit uniformat blu kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar se makina tip Alpha Romeo e policit Çardhaku ka qenë e parkuar dhe në momentin që ai ka tentuar ta futet në të ajo ka shpërthyer. Menjëherë është bërë transportimi i Kujtim Çardhakut në spital, nga ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, sipas mjekëve gjendja e tij ka kaluar rrezikun për jetën. Shtetasi Kujtim Çardhaku ka ushtruar detyrën e policit gjyqësor të qarkut të Shkodrës, por para 1 viti ai u pezullua nga puna për shkak të një incidenti që polici kishte pasur. Sipas informacioneve, Çardhaku ka pak muaj që është rikthyer në detyrë, por këtë herë si efektiv i policisë rrugore të Lezhës. Pista ku po heton policia për zbardhjen e shkaqeve të atentatit duket se janë ato që kanë të bëjnë me detyrën e Kujtim Çardhakut. Mendohet se atentatorët kanë ndjekur të gjitha lëvizjet e policit Çardhaku, duke gjetur momentin kur ai mund të ishte në automjet dhe kanë aktivizuar bombën, që sipas ekspertëve ka qenë me telekomandë. Ndërsa Policia po heton dhe po merr në pyetje të gjithë të njohurit e policit rrugor, po zbardhen ndërkohë edhe personat me të cilat para një viti ai kishte pasur një incident.