E Diel, 1 Nëntor 2026

Doris Pack: Ndarja apo ndryshimi i kufijve të Kosovës, të mos figurojnë si opsione në bisedime

30-09-2012 / Gazeta 55

Deklaratat e ndryshme që bënë, përgjatë javëve të shkuara, zyrtarët në Prishtinë, Beograd dhe Bruskel nuk hodhën dritë mbi perspektivën e fazës së ardhshme të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Megjithatë, mbetet e panjohur mënyra se si palët e përfshira synojnë t’ju përvishen një kapitulli më politik të procesit të dialogimit që temë boshte pritet ta ketë zgjidhjen e status quo-së më se 13 vjeçare në pjesën veriore të Kosovës.
Deputetja në Parlamentin Evropian, Doris Pack, theksoi në një bisedë me Radion Evropa e Lirë rëndësinë që ndarja apo ndryshimi i kufijve të mos figurojnë fare si opsione në tavolinën e diskutimeve të ardhshme.
“Nuk e di se çfarë sillet në kokat e njerëzve në Beograd; nuk e di as se çfarë sillet në kokat e politikanëve në Prishtinë. Por, mendoj se meqë jemi të përfshirë në këtë situatë duhet të ecim përpara në mënyrë strikte që do të thotë se nuk bën të lejojmë çfarëdo ndarje apo ndryshim të kufijve”, tha ajo.
Pack tha se diskutimet për veriun nuk duhet të përfundojnë në ndonjë zgjidhje që nuk do të kishte për bazë planin e Ahtisaarit.
“Ekziston tani një strategji e re-e vetmja strategji: për ta vazhduar dialogun gjatë të cilit do të duhej të diskutohej një zgjidhje politike për veriun e Mitrovicës. Por, mendoj se nuk bën t’ia lejojmë vetës ta diskutojmë këtë çështje në ndonjë mënyrë tjetër përveç zbatimit të planit të Marty Ahtisaarit edhe atje”, u shpreh eurodeputetja Pack për të theksuar rëndësinë e një angazhimi të shtuar të Catherine Ashtonit në krijimin e një qasjeje unike në BE sa i takon dialogut Prishtinë-Beograd.
Dialogu i deritashëm teknik ndërmjet Kosovës e Serbisë kishte nisur në marsin e vitit të shkuar, ndërsa u ndërpre po në marsin e këtij viti për shkak të zgjedhjeve serbe.
Gjatë nëntë raundeve të bisedimeve palët kishin arritur shtatë marrëveshje, zbatimi i të cilave është vënë si parakusht për të hyrë në fazën më politike të dialogut.
Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit përmendet si synim themelor i këtij procesi, por nuk dihet se cili do të jetë modeli me të cilin mund të arrihej kjo gjë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›