E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria e meriton statusin kandidat”

30-09-2012 / Gazeta 55

Meta në Kongresin e PSE-së

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi nga Brukseli se pjesa më e madhe e 12 prioriteteve për marrjen e statusit kandidat janë realizuar. Në një prononcim për mediat shqiptare të pranishme atje Ilir Meta u shpreh se nevojitet konsensus dhe vullnet që edhe çështjet e mbetura, si miratimi i ligjit për Gjykatën e Lartë dhe miratimi i rregullores së procedurave parlamentare, të zgjidhen në ditët në vazhdim që Shqipëria të marrë një përgjigje pozitive nga Brukseli.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ndodhet në Bruksel, ku po merr pjesë në punimet e Kongresit të Partisë Socialiste Europiane, me ftesë të liderëve të PSE-së. Gjatë fjalës së tij në takimin e mbajtur mes socialistëve europianë për Ballkanin z. Meta deklaroi se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian.
I pyetur në lidhje me ecurinë procesit të integrimit europian të Shqipërisë Meta tha se pjesa më e madhe e 12 prioriteteve tashmë janë realizuar apo plotësuar pavarësisht se mbeten ende disa çështje të rëndësishme sikurse është miratimi i ligjit për Gjykatën e Lartë, miratimi i rregullores së procedurave parlamentare.
“Unë shpresoj dhe besoj se në ditët që kanë mbetur këto çështje me konsensus dhe me vullnet të zgjidhen, të tejkalohen, dhe komisioni të ketë mundësinë që të bëjë një propozim sa më pozitiv për Shqipërinë”
Ndërsa për takimin me Komisionerin për Zgjerimin Stefan Fyle, Meta u shpreh se Fyle u shpreh inkurajues për vazhdimin e zgjerimit, natyrisht bazuar në meritat individuale të çdo vendi.
“Komisioneri shprehu faktin se natyrisht politikat e zgjerimit zhvillohen në një terren dhe në një kontekst më të vështirë se në të kaluarën për shkak të sfidave të reja me të cilat ndeshet Europa por absolutisht ai u shpreh inkurajues për vazhdimin e zgjerimit, natyrisht bazuar në meritat individuale të çdo vendi”, vijoi më tej Meta.
Për sa i takon takimit me kreun e PS-së, Edi Rama, Meta tha se, “Unë jam këtu për t’u takuar me të gjithë drejtuesit e partive socialiste dhe socialdemokrate të Ballkanit e të Europës dhe është normale që të takohemi edhe me kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›