Doris Pack në 2004: Protestat, mjeti i vetëm i opozitës për të rrëzuar qeverinë
Të gjithë e kanë dëgjuar dhe pak e shumë e dinë se eurodeputetja Doris Pack është mbështetëse në të mirë e në të keq e kryeministrit Sali Berisha. Por po sjellim në vëmendje faktin se edhe evropianët nuk kanë asgjë ndryshe në moralin e tyre të ulët se politikanët shqiptar. Për të kuptuar standardin e dyfishtë të një eurodeputete prej gati 20 vitesh në PE, më poshtë po japim disa mendime të saj për demokracinë, votën e lirë dhe se si duhet të sillet një opozitë përballë një qeverie të korruptuar në prova. Janë mendime publike të dhëna nga Pack në dy kohë të ndryshme, gjatë vitit 2004 kur Berisha ishte në opozitë dhe luftonte me Fatos Nanon dhe sot që Berisha është në pushtet dhe ka përballë Edi Ramën, i cili proteston për të njëjtat aspirata si kryeministri 7 vjet më parë.
Atëkohë Doris Pack akuzonte Nanon si mafioz dhe deklaronte me të madhe në mediat shqiptare se Berishës nuk i kishte mbetur rrugë tjetër veç protestave të dhunshme. Kurse sot në vitin 2011 kritikon opozitën e Ramës që të lërë rrugën e të kthehet në parlament, të pranojë vjedhjen e mandatit të votës së lirë në Tiranë. Më poshtë fjalimi i saj në shkurt 2004:
Pack: Protestat, e vetmja rrugë për rrëzimin e Nanos
Ditën e fillimit të protestave nga ana e opozitës kundër kryeministrit Nano, nga Brukseli vjen dhe reagimi i parë në përkrahje të tyre. Eurodeputetja gjermane, Doris Pack tha në një prononcim për televizionin satelitor Alsat, se opozitës nuk i ka mbetur tashmë asnjë rrugë tjetër, përveçse këtyre protestave për të rrëzuar regjimin e një kryeministri, i cili nuk ka punuar aspak për ecjen e reformave në vend. Ajo deklaroi se opozita nuk ka mënyrë tjetër për të luftuar këtë regjim, pasi ajo nuk mund të luftojë në rrugë parlamentare.
“Kjo është e vetmja mundësi e opozitës pasi lufta në rrugë parlamentare është e pamunduar. Opozita ka vendosur një rrugë të tillë pasi nuk ka rrugë tjetër. Bashkimi Evropian është shumë i pakënaqur nga mënyra se si po realizohen reformat në vend dhe nga vetë qeveria shqiptare, e cila është kritikuar vazhdimisht se nuk arrin që të përmbushë standardet në kuadër të marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit. Të nënshkruash një marrëveshje është shumë e lehtë, por duhet punë serioze për të përmbushur angazhimet e saj. Nuk jemi ne, por janë ata që duhet të ndryshojnë.
AMA NEWS