E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dortmundi mposht 4-2 Bajernin dhe fiton Superkupën e Gjermanisë

Ka rënë supremacia e Bajernit të Mynihut që në trofeun e parë të sezonit në Gjermani. Dhe është pikërisht Dortmundi ai që e ka mundur, duke u “hakmarrë”, për sezonin e kaluar. Borusia fitoi 4-2 në Superkupën e Gjermanisë. Bajerni dominoi totalisht një sezon më parë, teksa e nxorri jashtë loje Dortmundin nga kampionati, kupa dhe nga Champions League, në trofeun e fundit pikërisht në finale.
Verdhezinjtë kaluan në avantazh që në fillim të pjesës së parë me anë të Rojs. Në pjesën e dytë barazon për një moment Bajerni me anë të Roben, por autogoli i Van Bujtenin rikthen Dortmundin në avantazh. Vetëm një minutë më pas Gundogan shënon golin e tretë. Më pas është sërish Roben që shënon, por në fund goli tjetër i Rojsit do të mbyllte takimin. Përfundimisht 4-2, me një Dortmund që i hedh sërish “dorashkën” Bajernit. Ndërsa nga krahu tjetër Guardiola e nis në mënyrën më të keqe sezonin, duke humbur trofeun e parë. (Eduard.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›