E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doruntina... një dhimbje ndërballkanike

Përgjatë (pothuaj dy) mijëvjeçarëve rrugëtimi të përbashkët historik të popujve të Ballkanit, mospasja e kufijve dhe përzierja e popullsive bënë që të krijohej një ndërveprim i shumëfishtë, një këmbim i vazhdueshëm i të mirave kulturore, një proces i vazhdueshëm mbrujtjesh dhe ndërthurjesh, i tillë dhe në atë masë saqë mbeti shkaku kryesor i shfaqjeve të elementëve të përbashkët për sa i përket frymëzimit dhe mënyrës popullore e të përpunuar të shprehjes te popujt e Ballkanit. Vallja, muzika popullore (veçanërisht këtu në Epir, ose në Maqedoni dhe në Trakë), kënga popullore, arkitektura popullore, drugdhendja, veshjet popullore, piktura bizantine dhe arkitektura pasbizantine janë vetëm disa nga shembujt që provojnë këtë traditë të përbashkët ballkanike te popujt e gadishullit të Hemosit...

Kështu që është më se e nevojshme, por është dhe koha që e kërkon (tani që banorët e Ballkanit duhet të gjejnë brenda vetes elementët që i bashkojnë, rrënjët e përbashkëta kulturore, në mënyrë që t‘i përgjigjen kërkesës së kohës për një Ballkan paqësor në kuadrin e Evropës së bashkuar), nisjen e ripërtëritjes së elementëve të përbashkët dhe shpalljes së identitetit të përbashkët ndanëballkanik.

* * *

Këtë nismë e mori regjisori Sotiris Haxakis, nga shoqëria teatrore "Alekton", dhe me aktorë nga Greqia, Shqipëria, Serbia, Rumania e Bullgaria, i hyri punës me pasion, duke pasur si qëllim realizimin e idesë për të nxjerrë në pah elementët e përbashkët të qytetërimit popullor të vendeve ballkanike, duke pasur si pikëmbështetje dhe pikënisje këngën (baladën) e njohur të "vëllait të vdekur". Në rolet kryesore luajnë: aktorja e madhe shqiptare Margarita Xhepa; aktorja rumune, po aq e njohur në rrethet ndërkombëtare të teatrit, Maia Morgenstern; e mrekullueshmja Kiti Selmani-Djecevic; aktorja greke, Maria Kacidhaki; Nikos Arvanits dhe kori prej 10 anëtarësh i "Grupit të Komunitetit Popullor".

* * *

Për skenarin e shfaqjes, Sotiris Haxakis veçoi një këngë popullore, të cilën e hasim në variante të ndryshme pothuaj në të gjitha vendet e Ballkanit. Te "Kënga e vëllait të vdekur" vendosi rrëfenja, vajtime, yshtje popullore, kërcime nga pellgu i Marmarasë në Turqi, nga Mani dhe Kreta e Greqisë, nga zonat veriore dhe jugore të Shqipërisë, nga Serbia, Bullgaria dhe Rumania. Për më tepër, përfshiu edhe pjesë nga Bibla (siç është Zbulesa e Joanit), nga Lorka, nga Hekuba e Euripidit, etj., dhe të gjitha këto ia shtoi skenarit fillestar. Prandaj, gjatë shfaqjes spektatorit do t‘i vijnë nga skena mallkime, ofshama, thirrje të vdekurish, kërcime vajatare, porosi drejtuar shpirtrave dhe thirrje të tjera yshtëse apo paralajmëruese të Karontit, të Botës së Nëndheshme etj. Natyrisht, të gjitha këto do të shqiptohen në skenë në të pesta gjuhët ballkanike, në mënyrë që të bashkohet në një formë ndërballkanike tragjikja me populloren, pamorja me dëgjimoren, vepruesi me veprimin, sinteza Edenike me fragmentimin e tmerrshëm, elementët e absolutes me relativitetin e jetës, tepria si njerëzore me masën si mbinjerëzore, fyerja e ushqyer nga kryelartësia me prirjen hyjnore, mallkimi rraskapitës me transformimin e frikshëm të të vdekurit në të gjallë si formë e pastrimit metafizik - të gjitha këto e afrojnë "Këngën e vëllait të vdekur" me tragjedinë e lashtë greke.

Muzika që do të shoqërojë shfaqjen është marrë nga Pondi, Traka, Florina, Përmeti dhe nga zona të tjera të Shqipërisë, Serbisë dhe Bullgarisë. Ritmi i muzikës dhe i valles do të përcaktohet nga daullja dhe çanga, ndërsa vallja fillon me tingujt dorikë dhe me format vajtuese të traditës muzikore, si grup i bashkësisë popullore, heronjtë e së cilës shtypen në gurët e mullirit të fatit. Personazhi-udhëheqës ("mimi"), si figurë transhendentale, bashkon botën e mbidheshme me atë të nëndheshme.

* * *

Këtë kompozim të shkëlqyer (muzikor/letrar/koreografik e popullor) do ta paraqesë trupa e Sotiris Haxakis në një shfaqje simbolikisht ndërballkanike, në Teatrin Kombëtar, më 23 prill 2009, ora 20:00 dhe në të njëjtën datë në orën 17:30 në kolegjin "Arsakeio", ndërkohë që është shfaqur me sukses në Athinë e do të udhëtojë më tej edhe në kryeqytetet e Ballkanit. Vatra e Tiranës e Fondacionit Grek të Kulturës, si bashkorganizatore me fondacionin bamirës "Onasi" dhe shoqërinë teatrore "Alekton", ka marrë përsipër ta promovojë dhe ta paraqesë këtë shfaqje që do të kontribuojë në theksimin e kulturës sonë të përbashkët ballkanike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›