E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja “Gërdeci”, Kreshnik Omari heq dorë nga drejtimi i gjyqit

17/06/2009  Gjyqtari në konflikt interesi me çështjen

TIRANË – Dje në mesditë është pranuar dorëheqja e gjyqtarit Kreshnik Omari nga shqyrtimi i dosjes së “Gërdecit”. Dorëheqja e Omarit erdhi si pasojë e pjesëmarrjes së bashkëshortes së tij në një studio ligjore, e cila mbron interesat e të pandehurit në këtë çështje Ilmi Lacaj. Menjëherë sapo dosja u hodh në short dhe si drejtues u përcaktua gjyqtari Kreshnik Omari, ky i fundit pasi e ka shqyrtuar bëri kërkesën për dorëheqje. Kërkesa për t’u dorëhequr u bë për shkak të konfliktit të interesit. Dosja e 28 të pandehurve të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit, mbërriti vetëm pak ditë më parë në gjykatën e Tiranës. I vetmi që bën përjashtim në këtë dosje dhe është duke u gjykuar në shkallën më të lartë të gjykimit është Fatmir Mediu. Ndërkohë që për këtë të fundit është shtyrë seanca e parë gjyqësore. Pas dorëheqjes së drejtuesit të trupës gjyqësore tashmë dosja më e madhe në shkallën e parë të gjyqësorit, do t’i nënshtrohet edhe një herë shortit elektronik. Ndaj të pandehurve rëndojnë disa akuza tepër të rënda, të cilat fillojnë me “shpërdorim detyre” duke përfunduar me falsifikime e më pas edhe me akuzën më të rëndë atë të bashkëpunimit në një vrasje masive. Asnjë prej të pandehurve nuk i ka pranuar këto akuza të rënda duke i deklaruar si politike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›