Dosja “Veliaj” ndahet në 2 procese, GJKKO pranon gjykimin e shkurtuar për 7 të pandehur

Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK e dërgoi kërkesën për ta kaluar dosjen për gjykim vetëm 5 muaj më parë.
SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj.
Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave.