Mbledhja 4 orë në Pallatin e Brigadave, zbulohen “porositë” e Ramës për deputetët

Gjatë mbledhjes së përmuajshme me grupin parlamentar dhe ministrat, kryeministri Rama Edi ka kërkuar nga deputetët që të jenë sa më të pranishëm në terren, për të bashkëpunuar me pushtetin lokal në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
Po ashtu, një fokus i rëndësishëm ka qenë procesi i integrimit të Shqipërisë në BE.
Mësohet se kryeministri Rama ka thënë se procesi po ecën shumë shpejt, ndaj deputetët duhet të komunikojnë më shumë me qytetarët, sidomos me biznesin, ndërsa sigurinë ushqimore e ka konsideruar si sfidën kryesore.
Gjatë mbledhjes u diskutua mbi progresin e arritur deri tani, sfidat që mbeten për t’u adresuar, si dhe masat konkrete që duhen ndërmarrë për përshpejtimin e reformave kyçe.
Burime nga takimi bëjnë me dije se është theksuar nevoja për rritjen e koordinimit mes institucioneve dhe përmbushjen në kohë të detyrimeve që rrjedhin nga negociatat.
Mbledhja trajtoi edhe organizimin e aktiviteteve në kuadër të “Majit të Europës”, si dhe përgatitjet për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, duke theksuar rëndësinë e këtyre momenteve për jetën politike dhe institucionale të vendit.