E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja "Gërdec", priten arrestime të reja

Prokuroria po punon për të zgjeruar rrethin e hetimeve, përveç pesë personave që janë ndaluar deri tani

TIRANË - Implikimi i personave të tjerë në ngjarjen e Gërdecit dhe akuzat zyrtare që do të ngrihen ndaj tyre, janë dy çështjet kryesore ku mësohet se është përqendruar një pjesë e mirë e grupit hetimor. Pas deklaratave të kryeprokurores, se po punohet për zgjerimin e rrethit të hetimeve mbi persona të tjerë që kanë lidhje me Gërdecin dhe përcaktimin e akuzave zyrtare ndaj tyre, puna në këto dy drejtime është intensifikuar së tepërmi. Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme bëjnë me dije, se grupi i prokurorëve po analizon gjithë provat dhe faktet e mbledhura nga hetimi i deritanishëm, në bazë të së cilave priten dhe rezultate konkrete për zyrtarizimin e akuzave. Aktualisht, sipas burimeve zyrtare të prokurorisë, rezulton se nën hetim për tragjedinë e Gërdecit janë marrë Ylli Pinari, ish-drejtor i ndërmarrjes “Meico”, Mihal Delijorgji, administrator i firmës “Albademil”, e cila kryente demontimin e predhave, Dritan Minxolli, drejtor ekzekutiv i fabrikës së Gërdecit, Dashnor Çaushi, drejtor i Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm dhe Sokol Gjeçi, punonjës i “Meico”-s, i ngarkuar për mbikëqyrjen e procesit të demontimit. Sipas prokurorisë, mbi të pestë këta persona rëndon akuza e “shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, vepër e cila kur është me pasoja të rënda, si në rastin e Gërdecit, parashikon dënimin deri në 10 vjet burg. Sipas prokurorisë, po punohet për klasifikimin e akuzave zyrtare për të gjithë të pandehurit në bazë të përgjegjësisë personale të gjithsecilit. Në këto kushte, bëhet me dije se nga verifikimet e provave dhe fakteve të mbledhura nga procesi i deritanishëm hetimore, rezulton se Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli janë përgjegjës edhe për punësimin e fëmijëve në fabrikën e demontimit të predhave, shkelje kjo që sipas prokurorisë, është tepër flagrante. Gjithashtu, në procesin e verifikimit të pasojave po merret parasysh e gjithë situata e krijuar nga shpërthimi tragjik i 15 marsit, që nis nga dëmi ekonomik që i është shkaktuar buxhetit të shtetit, prishja e imazhit, ndotja e mjedisit dhe një sërë pasojash të tjera. Gjithashtu, prokuroria po shikon mundësinë e verifikimit të të dhënave për konsumim të veprës penale të shpërdorimit të detyrës nga ish-drejtori i “Meico”-s, pasi ndërmarrja shtetërore kishte si detyrë shitjen dhe eksportimin e materialeve ushtarake, jo ruajtjen e tyre. Sipas prokurorisë, procesi i zyrtarizimit të akuzave konkrete për të gjithë peronat e implikuar pritet të përfundojë së shpejti, duke mbajtur parasysh rolin dhe pozicionin e gjithsecilit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›