Mediu, dita pas heqjes së imunitetit

TIRANË - Diskutimet mbi heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut, i cili dyshohet se ka konsumuar elemente të veprës penale “shpërdorim detyre”, po ndiqen me shumë vëmendje nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pritet të plotësojë gjithë dokumentacionin që kërkohet nga Këshilli i Mandateve, Rregullores dhe i Imunitetit. Pas përfundimit të procedurave ligjore për heqjen e imunitetit të kreut të republikanëve, gjë që do t’i hapte rrugë një hetimi të plotë, organi i akuzës do të hetojë çdo veprimtari të ish-ministrit të Mbrojtjes, që dyshohet se ka lidhje me Gërdecin. Sipas burimeve të rezervuara nga organi qendror i akuzës, bëhet me dije se, nëse Kuvendi i Shqipërisë do ta shohë të arsyeshme heqjen e imunitetit, fillimisht hetimi do të përqendrohet në vërtetimin e shkeljeve të bëra publike nga kryeprokurorja Ina Rama, pak ditë më parë. Në shërbim të akuzës për “shpërdorim detyre”, Prokuroria, duke përdorur atributin që i jep ligji, do të mbledhë të gjitha provat dhe faktet që vërtetojnë dyshimet e ngritura deri tani. Mësohet se hetimi i Mediut, gjithmonë nëse atij do t’i hiqet imuniteti, do të nisë nga institucioni që ai ka drejtuar për afro tre vjet. Burime pranë akuzës thanë se fillimisht do të sekuestrohen të gjitha pamjet e marra nga kamerat e sigurisë së Ministrisë së Mbrojtjes dhe veçanërisht ato që ndodhen pranë zyrës së ministrit, për të parë gjithë personat që janë takuar me të. Edhe pse ekziston dyshimi se mund të jenë fshirë një pjesë e këtyre pamjeve, Prokuroria mendon ta nisë punën pikërisht nga ky vend, duke shpresuar në gjetjen e detajeve në ndihmë të hetimit. Paralelisht me këtë proces do të kryhet edhe sekuestrimi i regjistrit të shënimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, ku janë shënuar të gjithë emrat e personave që kanë hyrë në këtë institucion, si dhe takimet që ata kanë zhvilluar. Një pjesë tejet e rëndësishme e procesit hetimor që do të nisë ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, është edhe sekuestrimi i tabulateve telefonike, ku gjenden të ruajtura të gjitha bisedat që Mediu ka kryer. Mësohet se grupi hetimor do të përqendrohet në komunikimet telefonike që ish-ministri ka realizuar me personat e implikuar në tragjedinë e Gërdecit, numri i të cilëve deri tani ka shkuar në pesë. Një pjesë jo pak e rëndësishme e procesit hetimor pritet të jetë edhe verifikimi i pasurive të ish-ministrit të Mbrojtjes, pasi në të gjithë rastet e shkeljeve të evidentuara nga Prokuroria, është thënë se Fatmir Mediu favorizoi firmat private, por në asnjë moment nuk është akuzuar për përfitime personale. Nëse vërtetohet se ish-ministri i Mbrojtjes ka favorizuar firma private në procesin e demontimit të predhave në Gërdec, ngelet për t’u sqaruar fakti se për çfarë motivi ka shkelur ligjin për të realizuar një gjë të tillë.
Hapat e hetimit, pas heqjes së imunitetit të Mediut
1- Sekuestrimi i pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes
2- Administrimi i regjistrit të shënimeve në Ministrinë e Mbrojtjes (hyrje-daljet e personave në dikaster)
3- Verifikim i tabulateve telefonike të aparatit celular të ish-ministrit
4- Mbledhje informacioni për pronat, asetet, si dhe llogaritë e mundshme bankare të Mediut